Politika Prokuroria, letërporosi në Greqi për Kajmakun. I kërkohen edhe shenjat e gishtave

Prokuroria, letërporosi në Greqi për Kajmakun. I kërkohen edhe shenjat e gishtave

Prokuroria e Përgjithshme ka dërguar një letërporosi në Greqi për të marrë informacion mbi kryetarin e bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku.

Prokuroria kërkon nga autoritetet greke të dhëna për Agim Kajmakun (Jorgo Toto) nëse është i dënuar në këtë shtet. Gjithashtu sipas mediave, Njësia e Dekriminalizimit i ka kërkuar Agim Kajmakut që të depozitojë në policinë shkencore gjurmët e gishtërinjve.

Letërporosia nga Prokuroria e Përgjithshme e firmosur nga prokurori Arben Kraja është nisur ditën e premte.

Pas asaj për Valdrin Pjetrin ku i kërkohet informacion shtetit italian, kjo është lëtërporosia e dytë që firmoset nga Kraja për të marrë informacion mbi figurën e një kryebashkiaku të dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit.

Kjo lëvizje e Prokurorisë së Përgjithshme ka ardhur pas akuzave të Partisë Demokratike ku deklaronin se Agim Kajmaku ka qenë i dënuar më parë në Greqi.

Ka qenë Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazmend Bardhi i cili ka firmosur një kërkesë drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme për të verifikuar figurën e Agim Kajmakut, disa ditë më parë.

Partia Demokratike ka deklaruar se do të nxjerrë edhe dokumente për dëbimin e Kajmakut nga Greqia.