Kryesore Prokuroria nis letërporosi për Pjetrin: Kërkon informacione nga Italia dhe Interpoli

Prokuroria nis letërporosi për Pjetrin: Kërkon informacione nga Italia dhe Interpoli

Pas nisjes së hetimeve për Valdrin Pjetrin me dyshimin se ka falsifikuar formularin e dekriminalizimit, Prokuroria e Përgjithshme ka nisur disa letër-porosi jashtë vendit. Informacion është kërkuar nga autoritete italiane aty ku në vitin 2003 Pjetri sipas një dokumenti të bërë publik nga Partia Demokratike është dënuar me 1 vit e 6 muaj burg për trafik droge.

Të dhënat që kërkohen zyrtarisht nga vendi fqinj kanë të bëjnë me vënien në dispozicion të çdo materiali që implikon Pjetrin në vepra penale, dënime nga gjykata,masa sigurie apo ndalimi nga policia.

I njëjti informacion është kërkuar edhe nga agjencitë e sigurisë ndërkombëtare Interpol dhe Europol, për të verifikuar nëse ka dënime të tjera në vende të ndryshme të Europës.

Nga verifikime të bëra nga Prokuroria në vendin tonë Pjetri del i pastër pasi nuk rezulton të ketë probleme me ligjin. Në arkivin e institucioneve te sigurisë shqiptare ai nuk ka qenë asnjëherë i skeduar apo nën hetim. Vetëm pas mbërritjes së informacioneve nga jashtë sektori i dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme do të vendosë se çfarë hapash do të ndiqen për hetimin.

Një veprim tjetër të cilin hetuesit pritet ta bëjnë është edhe marrja e shenjave të gishtave të Valdrin Pjetrit dhe më pas krahasimin e tyre. Një procedurë të tillë Prokuroria e ka ndjekur me ish-deputetë të cilët kanë patur probleme me dekriminalzimin.

Në formularin e dekriminalizimit të cilin Pjetri e ka plotësuar pyetjeve nëse ka qenë i dënuar, dëbuar apo hetuar në një vend të huaj ai i është përgjigjur negativisht.