Aktualitet Prokuroria: PD dha 650 mijë dollarë për lobim në SHBA

Prokuroria: PD dha 650 mijë dollarë për lobim në SHBA

Prokuroria e Tiranës konfirmon hetim mbi vërtetësinë e shpenzimeve të kryera nga PD në fushatën elektorale të vitit 2017.

Sipas hetimeve, PD ka deklaruar vetëm shumën prej 25 000 dollarësh, dhe nuk ka bërë deklarime për shumën prej 650 000 dollarësh.

Për këtë arsye janë marrë sot) në pyetje kreu i PD-së Lulzim Basha, Gazment Bardhi, Ilir Dervishi, dhe Arben Ristani.

“Objekt i hetimit është vërtetësia e shpenzimeve monetare të kryera nga subjekti politik PD në fushatën elektorale të vitit 2017. Nga hetimi kanë rezultuar dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se ka një diferencë thelbësore mes deklarimeve të bëra zyrtare për shpenzimet e bëra nga subjekti PD, dhe shpenzimeve reale që ky subjekt ka bërë. Ky subjekt ka deklaruar vetëm shumën prej 25 000 dollarësh, dhe nuk ka bërë deklarime për shumën prej 650 000 dollarësh”, thuhet ne njoftimin e prokurorisë.

Letërporositë nga SHBA

Prokuroria deklaron se letërporositë e mbërritura nga SHBA dhe Skocia, vërtetojnë pagesat e bëra dhe të padeklaruara

“Sipas akteve të ardhura nga letërporositë, e mbërritura nga SHBA-ja dhe Skocia rezultojnë në mënyrë të qartë pagesat e bëra dhe të padeklaruara, çfarë nënkupton se subjekti PD nuk ka bërë asnjë deklarim për këto pagesa në kundërshtim me ligjin.”

650 mijë dollarë lobimi

Sipas prokurorisë PD ka bërë dy pagesa me shumën prej 650 mijë dollarëshe për efekt lobimin në SHBA.

“Nga provat e administruara në dosje rezultojnë të jenë kryer dy pagesa në shumën prej 650 000 dollarësh për efekt lobimi në SHBA, të cilat nuk janë deklaruar ligjërisht nga subjekti PD. Njëra nga këto pagesa rezulton të jetë bërë nga një shoqëri e huaj dhe konkretisht Biniatta Trade”, thuhet në njoftimin për shtyp të prokurorisë i cili mbyllet duke garantuar hetim objektiv dhe të paanshëm në lidhje me këtë çështje, duke u bazuar në prova dhe në ligj, si dhe të pandikuar nga deklaratat mediatike.

Për 90 minuta kreu i PD, Lulzim Basha dëshmoi në Prokurorinë e Tiranës dhe në përfundim të marrjes në pyetje, tha se bëhet fjalë për çështjen e plotësimit të formularëve të deklarimit në KQZ.

Basha kërkoi që Prokuroria të bëjë publike përgjigjet e ardhura nga SHBA dhe Britani.