Aktualitet Prokuroria pushon hetimet për Gjergj Cukalin

Prokuroria pushon hetimet për Gjergj Cukalin

Prokuroria ka pushuar hetimet për Gjergj Cukalin, të arrestuar me shumë bujë si personi që ekzekutoi ish-policin Arben Bilali një vit më parë. Cukali u prangos në 31 maj të vitit të kaluar, pasi policia deklaroi se kishte siguruar prova shkencore që e lidhnin me vrasjen e ish-policit.

Por 4 muaj më vonë, Gjykata e Apelit në Tiranë ndryshoi masën e sigurisë, nga arrest me burg, në detyrim paraqitje me argumentin se provat e sekuestruara në vendngjarje nuk janë marrë në formën e duhur ligjore.

Pas rrëzimit të provës shkencore, Prokuroria nuk gjeti më të dhëna që mund ta implikonin Cukalin duke pushuar hetimet. Vendimi i pushimit pritet të kalojë në gjykatë.

Do të jetë gjykatësi paraprak që do të vendosë nëse do e pranojë kërkesën e Prokurorisë apo do të urdhërojë veprime të tjera hetimore. Policia në atë kohë deklaroi se në mjetin që dyshohet se u përdor për vrasjen e Bilalit, u gjetën gjurmë ADN-je, të cilat Cukali i kishte lënë në një bidon uji që u sekuestrua në makinë.

Me arrestimin e Cukalit, policia e quajti ngjarjen e zbardhur, por asnjëherë nuk deklaroi motivin e krimit. I vetmi person i arrestuar për këtë ngjarje është Arben Tirana, që dyshohet se ka siguruar mjetin e autorëve për të kryer vrasjen.

Arben Bilali u ekzekutua me breshëri kallashnikovi mesditën e 30 Janarit të vitit të kaluar, në kohën që po zbriste nga një makinë shumë pranë banesës së tij në zonën e Selitës në Tiranë.