Aktualitet Prona me vlerë 40 mln euro, Krimet e Rënda sekuestrojnë pasurinë e...

Prona me vlerë 40 mln euro, Krimet e Rënda sekuestrojnë pasurinë e ish-deputetit

Një sipërfaqe prej 300 mijë metra katrorë në bregdetin e Lezhës dhe disa apartamente në plazh, prona të ish-deputetit Arben Ndoka, janë sekuestruar me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda ditën e sotme.

Sipërfaqet ndodhen konkretisht në vendet e njohura si “Mali i Rrenzit”, Shëngjin, “Rana e Hedhun”, Laguna e Lezhës si dhe disa apartamente në plazh, sekuestrimet kanë një vlerë rreth 40 milion euro.

Prokurorët e çështjes te Krimet e Rënda janë Vladimir Mara dhe Dritan Prençi, ndërsa sekuestrot janë dhënë me vendimin e gjyqtarit Bib Ndreca.

Arben Ndoka ra në prangat e policisë në tetor të vitit 2018, gjatë operacionit të policisë “Volvo 4”.

Nga përgjimet telefonike të Prokurorisë, Arben Ndoka rezultonte i përfshirë në një skemë tjetërsimi pronash në zonën e Kunes dhe Rana e Hedhun në Shëngjin. Gjithçka u zbulua nga hetimet e prokurorisë për vëllain e Arben Ndokës, Gjevi Ndoka, si i lidhur me Avdylajt e Shijakut, të cilët akuzohen për trafik droge dhe porositës të heroinës së laboratorit të Hasit.