Kosova Propozimet e Kurtit, Kryesia e Kuvendit: Qeveria e re e Kosovës votohet...

Propozimet e Kurtit, Kryesia e Kuvendit: Qeveria e re e Kosovës votohet të hënën

Të hënën, Kuvendi i Kosovës do të votojë qeverinë e re të vendit. Vendimi është marrë nga Kryesia e Kuvendit që caktoi mbajtjen e seancës më 3 shkurt në orën 11:00 pas kërkesës së të mandatuarit, Albin Kurti.

Aty do të votohen emrat e propozuar nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje si pjesëtarë të ekzekutivit të ri. Sipas afatit kushtetues, Albin Kurti ka kohë deri më 4 shkurt që t’ia paraqesë për votim kabinetin e tij, deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Vetëvendosje dhe LDK ende nuk kanë arritur marrëveshje për koalicionin qeverisës, për shkak të mospajtimeve rreth postit të kryeparlamentarit dhe atij të presidentit.

Ndërkaq, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa tha në një intervistë se ka ende hapësirë për marrëveshje me Lëvizjen Vetëvendosje. Por edhe nëse do të dështojnë në ngjizjen e koalicionit, ai tha se do të mbështesë një qeveri pakice të Vetëvendosje.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje diskutoi së fundmi edhe me Listën Serbe sa i përket përfshirjes së tyre në qeverinë e re. Përfaqësuesit e komunitetit serb të Kosovës pohuan se nuk do të pengojnë votimin e ekzekutivit të ri, ndërsa kërkuan të përfaqësoheshin me dy ministra.