Extra Propozimi nga Franca: Mbulesë plastike për t’u mbrojtur nga COVID në restorante

Propozimi nga Franca: Mbulesë plastike për t’u mbrojtur nga COVID në restorante

Një stilist francez ka gjetur zgjidhjen për menaxherët e restoranteve që duan të rikthejnë klientelën e tyre pas bllokadës së koronavirusit, por njëkohësisht edhe ta mbrojnë atë nga sëmundja.

Zgjidhja është një abazhur i madh i bërë me plastikë transparente, që mund të mbulojë kokën e një njeriu teksa konsumon një vakt.

Pajisja cilindrike varet nga një kabëll i instaluar në tavan dhe ka një hapësirë përmes të cilës klienti mund të hyjë e të dalë, pa qenë nevoja që të përkulet.

Stilisti Christophe Gernigon deklaron se iu desh të bënte diçka tërheqëse për klientët, pasi produktet e deritanishme në treg ngjasojnë si kabina burgu.

“Si mund t’i hapim restorantet? Kontrollova pak në internet mbi atë që është bërë deri tani dhe gjeta disa panele, por dikush mund të thotë se ato dukën si burg dhe personalisht nuk më tundon ideja të shkoj të ha në një qeli. Kështu që i thash vetes, ndoshta mund të bëj diçka më të bukur, më poetike”, tregon Gernigon.

Produktet e Gernigon do të dalin në shitje javën e ardhshme dhe sipas tij, vende si Franca, Belgjika, Kanadaja, Japonia dhe Argjentina kanë shfaqur interes.

Franca ka nisur të lehtësojë disa nga kufizimet e vendosura për të frenuar epideminë e koronavirusit. Dyqanet dhe floktoret kanë rihapur dyert, ndërsa nxënësit janë kthyer në shkolla.

Por qeveria duhet ende të japë dritën e gjelbër për baret dhe restorantet, të goditura rëndë financiarisht nga kriza, pasi përbëjnë probleme të caktuara për kontrollin e sëmundjes.

Aksesori i ri do të prodhohet fillimisht me 10 mijë njësi në javë dhe do të kushtojë rreth 150 euro, edhe pse çmimi nuk është caktuar ende.