Bota Protesta e kamionistëve në Kanada, kryeministri Trudeau largohet nga kryeqyteti

Protesta e kamionistëve në Kanada, kryeministri Trudeau largohet nga kryeqyteti

Mijëra vetë u mblodhën në Otava të dielën, një ditë pasi demonstruesit zbritën në kryeqytetin kanadez në një protestë kundër kryeministrit Justin Trudeau dhe pasaportës së vaksinimit kundër Covid-19. Me mijëra vetë bllokuan të dielën rrugët kryesore, duke zaptuar kryeqytetin Otava, kundër vendimit të dy javëve më parë të kryeministrit për vaksinim me detyrim, për industrinë e kamionëve.

Sipas këtij vendimi, të gjitha drejtuesit e kamionëve të pavaksinuar, që rihyjnë në Kanada nga Shtetet e Bashkuara, do të duhet të testohen fillimisht e më pas të vetizolohen. Kaq mjaftoi që mijëra vetë, punonjës të sektorit, por edhe qytetarë të thjeshtë, të dalin në rrugë në protestë, me dhjetëra kamionë e makina që bllokuan rrugët që të çojnë drejt parlamentit, duke paralajmëruar se nuk do t’i heqin makinat prej andej, deri në tërheqjen e këtij vendimi.

Edhe pse protestat ishin paqësore, me shumë pak incidente të shënuara, sipas policisë, për arsye sigurie, kryeministri dhe familja e tij u larguan të shtunën nga Otava. Thuajse 90% e drejtuesve të kamionëve, që punojnë me rrugë nga SHBA-ja, por edhe 79% e popullsisë kanadeze janë vaksinuar tashmë me 2 doza. Kanadaja është aktualisht në pikun e valës së variantit Omicron, me rastet në rritje, bashkë me to edhe shtrimet në spitale.