Aktualitet Protesta e nëntë, mbështetësit e PD-LSI mblidhen para Kryeministrisë

Protesta e nëntë, mbështetësit e PD-LSI mblidhen para Kryeministrisë

Opozita ka nisur në orën 20:00 protestën e nëntë kombëtare përpara Kryeministrisë kundër qeverisë Rama.

Tubimi vjen në një situatë tejet të tensionuar pas nxjerrjes së përgjimeve nga gazeta gjermane Bild dhe sulmeve ndaj KZAZ-ve nga zyrtarë të bashkive të drejtuara nga opozita dhe militantët, ndërsa shumica shprehet e vendosur për të zhvilluar zgjedhjet, pavarësisht se Presidenti Ilir Meta anuloi dekretin për 30 Qershorin.

Ende nuk dihet skenari i opozitës, por Lulzim Basha ka deklaruar se nuk do të ketë dhunë dhe se në protestë do të jetë së bashku me gruan dhe dy vajzat.

“Të gjithë bashkë sonte në orën 20:00, si njerëz të lirë, si qytetarë me dinjitet, si shqiptarë kurajozë, prindër, motra, vëllezër, bij e bija shqiptarësh, në manifestimin kombëtar të vullnetit tonë të pakthyeshëm për Shqipërinë si gjithë Europa!

500 mijë shqiptarë jetojnë si azilkërkues rrugëve të Europës. 450 mijë shqiptarë janë të papunë. Ndërsa: 2 miliardë euro janë harxhuar për 14 konccesione korruptive. Boll më me Shqipërinë që duan ata! Është koha për Shqipërinë e gjithë shqiptarëve! Asnjë hap pas! Shqipëria Si Europa” ishte thirrja e Lulzim Bashës për qytetarët.

SHBA përmes ambasadës në Tiranë bëri thirrje për mbrojtjen e procesit zgjedhor të 30 qershorit dhe shmangien e dhunës, ndërsa kërkoi që drejtuesit e opozitës të mbajnë përgjegjësi.

‘Sundim të ligjit që mbron punonjësit civilë dhe shkollat nga sulmet e pakuptimta, që mbron integritetin dhe sigurinë e procesit zgjedhor, dhe që mban premtimin e së drejtës së qytetarit për të protestuar paqësisht’.

Dy ditë më parë edhe OSBE dënoi sulmet e ndodhura në disa KZAZ në vend.

Nisur nga protestat e dhunshme të opozitës, edhe në këtë tubim policia ka marrë masat e nevojshme për mbarëvajtjen e tij që starton në orën 20:00. Mbi 1500 efektivë do të jenë në terren, një pjesë e të cilëve kanë dalë në gatishmëri të përforcuar që mbrëmjen e djeshme, raporton gazetarja Xhensila Kodra.

Ndërsa në disa pika, policia ka shtuar edhe kamerat e sigurisë me rezolucion më te lartë. Kjo për të bërë të mundur identifikimin e protestuesve të dhunshëm.