Aktualitet Protesta e studentëve, tërhiqet qeveria: Pranojmë kërkesat e tyre

Protesta e studentëve, tërhiqet qeveria: Pranojmë kërkesat e tyre

Shpërndaje

Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla tha të enjten se nuk do të ketë tarifë për provimet e prapambetura.

Ajo tha se pranohet kërkesat e studentëve duke hequr nenin 4 të VKM-së.

“Nuk do të ketë tarifë për provimet e prapambetura”, tha Nikolla në një dalje për mediat në Ministrinë e Arsimit.

“Më duhet të vijoj tani me propozimin për heqjen e pikës 4 dhe që sot qeveria do të shfuqizojë vendimin për tarifat që lidhen me studentët përsëritës”, tha Nikolla.

Tërheqja e Ministres vjen në një kohë që studentë të universiteteve publike kanë bojkotuar edhe sot auditorët dhe kanë vijuar protestën e nisur dy ditë më parë.

Në Tiranë ata janë mbledhur përpara fakulteteve të tyre dhe më pas janë tubuar përpara Ministrisë së Arsimit.

Studentët kërkojnë heqjen e pagesës për kreditet e provimeve të mbartura, përgjysmim të tarifës së shkollimit dhe shtyrjen e afatit të pagesës për në Janar.

Një tjetër kërkesë është përmirësimi i kushteve në konvikte si dhe përfaqësim i tyre në vendimmarrje.