Bota Protesta në Izrael, akuza Netanyahu për karantinim të qëllimshëm “politik”

Protesta në Izrael, akuza Netanyahu për karantinim të qëllimshëm “politik”

Nuk ndalen protestat nën gjendjen e karantinimit të të gjithë vendit, kundër kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu.

Pas një urdhri për mbylljen e shtetit për shkak të rritjeve të rasteve me koronavirus, kanë vazhduar protestat në Jerusalem, ku qytetarët akuzojnë se ky karantinim ka si qëllim shmangien e së vërtetës së korrupsionit dhe keqmenaxhimit të situatës së pandemisë nga qeveria.

“Izolimi në këto momente nuk ka të bëjë fare me shëndetin apo protestat e njerëzve. Mendoj se kjo ka të bëjë me arsyet personale të Netanyahu-t për të shmangur gjykimin”, tha Ariel Baker, protestues Izraelit.

Protestuesit, që bien ndesh me rregullat e reja për karantinim, u mblodhën jashtë rezidencës së kryeministrit dhe kanë bërë thirrje për dorëheqjen e tij duke mbajtur slogane e flamuj në duar.

I gjithë vendi si pasojë e pandemisë ka raportuar jo vetëm një rënie të ekonomisë, por edhe një shtim të rasteve të reja me COVID-19, duke e çuar numrin e infektimeve në rreth 187 mijë dhe numrin e vdekjeve në më shumë se 1.200 raste.