Politika Protesta për Teatrin, policia procedon Bashën, Kryemadhin dhe Mediun

Protesta për Teatrin, policia procedon Bashën, Kryemadhin dhe Mediun

Policia e Tiranës ka proceduar për shkak të organizimit të një “proteste të paligjshme” kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, Kryetaren e LSI, Monika Kryemadhi, Kryetarin e Partisë Republikane, Fatmir Mediu si dhe 6 persona të tjerë.

“Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1, në përfundim të veprimeve të kryera në lidhje me protestën e paligjshme të zhvilluar në Bulevardin e Kombit, proceduan penalisht në gjendje të lirë 9 shtetas”,- njofton Policia në deklaratën e sotme për shtyp.

“Procedimi ndaj tyre nisi pasi, më datë 18 maj 2020, rreth orës 16:30, kanë protestuar në mënyrë të paligjshme, pa lejen e organeve kompetente, duke prishur rendin dhe qetësinë publike, aq më tepër në situatë të jashtëzakonshme në kohë pandemie, ku ndalohen me ligj grumbullimet apo tubimet”,- sqaron policia.

“Shërbimet e Policisë kanë proceduar penalisht, për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, shtetasit: Robert Budina, Adriana Kalaja, Neritan Liçaj, Artan Manushaqe, Arkimed Lushaj. Po ashtu të proceduar janë dhe Lulzim Basha, Monika Kryemadhi, Çlirim Gjata dhe Fatmir Mediu”,- përfundon njoftimi i Policisë.