Aktualitet Protesta, Policia: Synohet hyrja me forcë në sallën e Parlamentit

Protesta, Policia: Synohet hyrja me forcë në sallën e Parlamentit

Policia e Shtetit thotë se në protestën e paralajmëruar të opozitës, që do të zhvillohet ditën e nesërme, synohet hyrja me forcë në sallën e Parlamentit.

“Policia e Shtetit  në zbatim të ligjit “Për tubimet”, si dhe në mbështetje të së drejtës së organizmit të tubimeve paqësore të qytetarëve, ka marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e protestës së njoftuar nga subjektet politike të opozitës, për datën 21 shkurt 2019. Policia e Shtetit është tërësisht e angazhuar për të garantuar rendin dhe sigurinë  publike, si edhe paprekshmërinë e institucioneve gjatë kohës së zhvillimit të protestës. Nga informacionet e mbledhura nga shërbimet përkatëse, ka të dhëna për nxitje të dhunës dhe organizime me natyrë kriminale. Synohet hyrja me forcë në sallën e Parlamentit, duke ushtruar dhunë mbi personelin që ka detyrimin ligjor të sigurojë mbrojtjen e institucionit themelor të demokracisë”.

Në një njoftim për mediat, Policia i bën thirrje organizatorëve të kësaj proteste që të distancohen nga dhuna dhe të bëjnë thirrje për respektim të ligjit. Ndërsa qytetarëve që do të marrin pjesë në këtë tubim, policia i kërkon që të mos kryejnë veprime të dënueshme me ligj.

Policia thotë se është e gatshme të përgjigjet me forcën e ligjit ndaj çdo veprimi dhe akti dhune.

“Për të parandaluar çdo mundësi të tillë, Policia e Shtetit, u bën apel në radhë të parë organizatorëve që të distancohen hapur nga dhuna dhe të bëjnë thirrje për respektimin e ligjit nga çdo protestues. Po ashtu Policia e Shtetit u bën apel të gjithë atyre që duan të ushtrojnë nesër lirinë e tubimit dhe të drejtën e protestës, që të mos përfshihen në asnjë rast e për asnjë arsye në veprime të dënueshme ligjërisht. Policia e Shtetit e siguron opinionin publik, se forcat e rendit dhe sigurisë janë të gatshme t’i përgjigjen me forcën e ligjit dhe në proporcionalitet të plotë, çdo veprimi të paligjshëm apo akti dhune. Po ashtu, janë marrë të gjitha masat për identifikimin dhe skedimin e çdo individi që do të evidentohet si shkelës i ligjit, si edhe për ndalimin e për nxjerrjen e çdo shkelësi përpara drejtësisë”.

Në fund, Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e qytetarëve, për bllokimin e disa rrugëve që lidhen me vendin ku do zhvillohet protesta, si dhe për kontrollet e shtuara përgjatë akseve rrugore kombëtare, që ajo është e detyruar të zhvillojë, në interes të sigurisë së qytetarëve dhe të vetë protestës. Ndërsa fton të gjithë qytetarët që kanë informacione me rëndësi, të kontaktojnë në anonimat në numrin e telefonit pa pagesë 112, ose në Komisariatin Dixhital.

Protesta e së enjtes u njoftua nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha të shtunën, duke mbyllur protestën e zhvilluar atë ditë. Protesta e 16 Shkurtit përpara Kryeministrisë u përshkallëzua në dhunë ndaj godinës së këtij institucioni, ndërsa një ditë pas protestës, opozita mori vendimin për djegien e mandateve.