Politika Protesta, Rudina Hajdari del sërish kundër Bashës

Protesta, Rudina Hajdari del sërish kundër Bashës

Rudina Hajdari, e bija e heroit demokrat Azem Hajdari, ka vijuar me qëndrimin e saj oponent ndaj stilit të politikbërjes së kreut të PD-së Basha.

Një ditë pas protestës me elementë dhune nga ana e opozitës, znj. Hajdari ka lëshuar kritika të forta kundër mënyrës së si mbërrit deri aty.

“Një protestë e suksesshme nuk duhet të ketë dhunë në asnjë rast.

Qytetarët e Shqipërisë kanë shumë të drejtë dhe arsye të protestojnë kundër keq-qeverisjes, kriminalitetit, abuzimit shtetëror, autoritarizmit, papunësisë, padrejtësisë, diskriminimit, mos-zhvillimit .. etj.

Por mënyra sesi ne protestojmë dhe qëndrimet që ne mbajmë janë tepër të rëndësishme.

Çdo akt dhune i ndërmarrë është i papranueshëm dhe jo-legjitim.

Heronj janë ata që distancohen nga dhuna dhe që përfaqësojë me dinjitet qytetarët, pjesa më e madhe e të cilëve janë kundër dhunës. Dhuna nuk e forcon kauzën tonë të drejtë, përkundrazi ajo e dobëson atë dhe madje rrezikon misionin dhe objektivat opozitare e demokratike.

Sikurse studentët, edhe ne rast provokimesh, duhet të tregojmë lidership dhe të menaxhojmë me integritet, të bashkuar, të vendosur dhe paqësorë derisa copëzat e fundit të një qeverie të rënë të shkërmoqen deri në fund për të hapur rrugë një modeli evropian qeverisje”, përfundon deklarata e të bijës së Azem Hajdari, zgjedhur deputete, për ironi, nga lista Basha në zgjedhjet e vitit 2017.