Bota Protesta të dhunshme në Bjellorusi, liderja e opozitës largohet nga vendi

Protesta të dhunshme në Bjellorusi, liderja e opozitës largohet nga vendi

Nuk ndalen protestat e dhunshme në kryeqytetin e Bjellorusisë, pasi rezultatet e zgjedhjeve të së dielës nxorën sërish fitues presidentin Lukashenko për një mandat të gjashtë.

Disa orë pas përfundimit të procesit zgjedhor, mediat pranë qeverisë shpallën rezultatin sipas të cilit Lukashenko kishte fituar bindshëm me 80% të votave, ndërsa kandidatja e opozitës kishte marrë vetëm 7% të preferencave të qytetarëve bjellorusë.

Prej mbrëmjes së të dielës vendi më pas është përfshirë nga protesta të dhunshme, të cilat sollën dhe reagimin e dhjetëra liderëve botërorë për vetëpërmbajtje dhe dialog. Presidenti Lukashenko i quajti protestuesit “dele” dhe të mbështetur nga jashtë.

Mësohet se në protestën e së hënës në mbrëmje policia përdori dhe plumbat e gomës. Raportohet se një person ka humbur jetën ndërsa shumë të tjerë kanë mbetur të lënduar.

Pas përshkallëzimit të situatës, liderja e opozitës Svetlana Tikhanovskaya është larguar nga vendi dhe është vendosur në Lituani, lajm ky që konfirmohet nga autoritetet vendase. Ekipi i saj bën me dije se ajo është duke shmangur protestat për shkak të “provokimeve të mundshme”.