Aktualitet Protesta te “Unaza”, ministri Lleshaj: Drejtuesit e PD të mos fshihen pas...

Protesta te “Unaza”, ministri Lleshaj: Drejtuesit e PD të mos fshihen pas fëmijëve dhe grave

Policia ka shoqëruar në komisariat mbrëmjen e së dielës ish-deputetin e Partisë Demokratike, pas bllokimit të rrugës në “Unazën e Re” nga banorët e Astirit dhe ish-deputetë të PD, ndërsa i pranishëm ishte edhe kreu i kësaj partia në mbështetje të banorëve.

PD ka bërë të ditur se ish-deputeti është shoqëruar në polici së bashku me disa banorë, ndërsa në drejtorinë e policisë kanë shkuar përfaqësues të Partisë Demokratike, të cilët kërkojnë lirimin e të ndaluarve.

Për bllokimin e rrugës në “Unazën e Re” ka reaguar në mbrëmje edhe ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj. Ministri shkruan se drejtues të PD u fshehën pas fëmijëve dhe grave, “të cilët u përdorën në mënyrë abuzive, si shprehje tronditëse e mungesës së përgjegjshmërisë dhe e kurajës”.

Lleshaj u drejtohet drejtuesve të PD duke u thënë se, “policia nuk do të tolerojë asnjë pengmarrje të qytetit nga një grup parapolitik i dalë dëshpërimisht jashtë rrugës së arsyes dhe të ligjit”.

Reagimi i plotë i ministrit Lleshaj:

Pushimet e verës duket se nuk e ndihmuan Partinë Demokratike për të gjetur udhën e politikës.

Sot, më 13 tetor, ajo u rikthye përsëri në vesin e vjetër të bllokimit të rrugëve, por kësaj radhe me një “risi” të mjerë. Drejtues të saj u fshehën pas fëmijëve dhe grave, të cilët u përdorën në mënyrë abuzive, si shprehje tronditëse e mungesës së përgjegjshmërisë dhe e kurajos.

Drejtuesit e PD duhet të dinë mirë një gjë:

Policia e Shtetit nuk do të përballet kurrë me fëmijët e keqpërdorur politikisht.

Por, në të njëjtën kohë, ajo nuk do të tolerojë asnjë pengmarrje të qytetit nga një grup parapolitik i dalë dëshpërimisht jashtë rrugës së arsyes dhe të ligjit.

Me këtë rast, ftoj të gjithë qytetarët që janë bërë pjesë e këtij manipulimi që të distancohen nga shkeljet e ligjit, që të mbajnë fëmijët larg politikës së rrugës dhe që të mos lejojnë keqpërdorimin e vetes për interesa politike!

E drejta e tyre nuk mund të gjendet kurrë tek bllokimi i arterieve kryesore të kryeqytetit, por vetëm te rruga institucionale.

Iluzioni se problemet mund të zgjidhen përmes vetëgjyqësisë, që promovon PD, është i kotë dhe i dëmshëm për të gjithë.

E vetmja rrugë e arsyeshme për të zgjidhur problemet është qasja institucionale.

Institucionet janë plotësisht të gatshme dhe të përgatitura për të trajtuar në rrugë ligjore problemet e qytetarëve.