Bota Protestat dhe grevat në Paris, turistët ndjejnë pasojat e zemërimit

Protestat dhe grevat në Paris, turistët ndjejnë pasojat e zemërimit

Protestat dhe grevat në Paris kanë shënjuar edhe industrinë e turizmit.

Pas 15 ditësh bllokade transporti që ka ndaluar qarkullimin në qytet, turistët në Paris po ndjehen të frustruar. Industria e turizmit tani ka filluar të ndjejë pasojat e zemërimit kundër reformës së sistemit të pensioneve të kërkuar nga presidenti Emmanuel Macron.

“Donim të bënim shumë gjëra, të shikonim shumë gjëra, por e patëm të vështirë për shkak të grevës. U përpoqëm dje të arrinim në disa atraksione por ishte vërtetë e lodhshme duke ecur. Ndaj sot po përdorim skuterat, që janë diçka e mirë. Por për shkak të grevës, edhe ata ishin shumë të vështirë të gjendeshin”, shprehet një turiste në Paris.

“Ajo që më ka prekur më shumë dhe që është pak e mërzitshme, është fakti se jo vetëm metroja është e mbyllur, por edhe rrugët janë mbushur me njerëz, dhe nganjëherë është e vështirë edhe të ecësh. Nuk po mundemi të shijojmë asgjë”, deklaron një tjetër.

Ndërkohë që bizneset, përfshirë restorantet, dyqanet e suvenirëve etj, greva po u rëndon jo pak mbi shpinë.

“Ne jemi në një rrugë që frekuentohet shumë nga turistët. Por tani shikoni, nuk ka asnjë njeri këtu. Nëse përpara bënim një xhiro ditore prej 1500 eurosh, tani nuk arrijmë të bëjmë as 100 euro. Është një katastrofë!”

Në një situatë të tillë, taksistët po përpiqen të përfitojnë duke rritur çmimet e shërbimeve të tyre. Sidoqoftë, për shumë turistë, pavarësisht vështirësive me të cilat po përballen, Parisi mbetet përrallor. Ka edhe nga ata që mendojnë se është më mirë kështu, pasi duke ecur mund të shikosh dhe shijosh më shumë nga qyteti.