Bota Protestat e dhunshme në SHBA, Trump mbyllet në bunker

Protestat e dhunshme në SHBA, Trump mbyllet në bunker

Revolta i ka ardhur tek dera e shtëpisë presidentit amerikan Donald Trump. Qindra manifestues të dhunshëm sulmuan forcat e sigurisë dhe ndërtesat përgjatë bulevardeve që shtrihen përqark Shtëpisë së Bardhë duke djegur disa prej tyre.

Disa media amerikane shkruajnë se prej natës së të premtes, agjentët e shërbimeve sekrete e evakuuan Trumpin, familjarët e tij dhe disa zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë në një bunker sekret për ta siguruar për çdo të papritur.

Dita e gjashtë e protestave për vrasjen nga policia të afro-amerikanit Xhorxh Flloid i ka gjetur protestat të shtrira në të paktën 140 qytete të vendit. Në 40 prej tyre është shpallur gjendja e jashtëzakonshme dhe trupat rezervë të ushtrisë amerikane të Gardës Kombëtare, të gatshme për të ndërhyrë në trazira brenda vendit janë aktivizuar në 15 shtete federale dhe në kryeqytetin Uashington.

Në media flitet për disa viktima e të plagosur gjatë këtyre ditëve, por ende nuk jepet një shifër e përgjithshme e saktë. Me mijëra po ashtu janë të arrestuarit, mes të cilëve edhe Kiara de Blazio, vajza e kryebashkiakut të Nju Jorkut, e cila u ndalua në protestat e Nju Jorkut. Mineapolis është qyteti i goditur më rëndë nga protestat. Ndërsa në Oklahoma policët u bashkuan me manifestuesit, në protestën kundër racizmit.