Bota Protestat në Hong Kong po zgjerohen, Kina reagon ashpër

Protestat në Hong Kong po zgjerohen, Kina reagon ashpër

Qeveria e Kinës reagon ashpër për protestat në Hong Kong. Pekini zyrtar akuzoi manifestuesit pro-demokracisë duke thënë se kryen akte djallëzore dhe kriminale si dhe dëmtuan reputacionin dhe stabilitetin e qytetit gjysmë autonom.

Në një konferencë për shtyp, zëdhënësi i zyrës së qeverisë së Kinës për Hong Kongun, Jang Guang, e cilësoi situatën si shumë të rëndë.

Ai paralajmëroi se nuk do të lejojë asnjë sfidë ndaj autoritetit të qeverisë kineze, pasi, sipas tij, kjo kërcënon sigurinë kombëtare.

“Zhvillimet në Hong Kong bëjnë pjesë në punët e brendshme të Kinës”, theksoi zyrtari.

Ndër të tjera bëri thirrje për ndëshkimin e përgjegjësve për organizimin e protestave dhe rikthimin e rendit publik.

Protestat masive deri tani kryesisht paqësore në Hong Kong, që drejtohen kundër qeverisë pro-kineze, po vazhdojnë prej shtatë javësh. Pakënaqësinë e popullsisë e ndezi edhe më shumë një ligj për ekstradimin, që tashmë është pezulluar. Sipas këtij ligji, për herë të parë mundësohet ekstradimi në Kinë. Kryeministrja Carrie Lam ndonëse e ka shpallur këtë ligj të “vdekur”, demonstruesit kërkojnë heqjen e plotë të kësaj nisme nga agjenda parlamentare. Por këtë kryeministrja nuk e pranon.

Ndërkohë protestat po zgjerohen. Demonstruesit kërkojnë reforma demokratike, një të drejtë të përgjithshme vote dhe dorëheqjen e kryeministres besnike ndaj Pekinit, Lam.