Bota Protestat në Rusi, arrestohen mbi 3 mijë mbështetës të Navalny-t, mes tyre...

Protestat në Rusi, arrestohen mbi 3 mijë mbështetës të Navalny-t, mes tyre gruaja e tij

Mijëra vetë janë ndaluar në të gjithë Rusinë, pas protestave në të cilat është bërë thirrje për lirim të liderit opozitar Aleksei Navalny, ndërkohë që policia ka tentuar të shtypë dhunshëm ato që janë konsideruar protestat më të mëdha kundër qeverisë në vitet e fundit në këtë vend.

Mbi 3 000 arrestime u raportuan të shtunën nga Siberia në Moskë, 1,200 prej tyre vetëm në Moskë, sipas organizatës OVD-Info që monitoron ndalimet politike, pasi mijëra të tjerë demonstruan në temperatura të ulta -50 gradë celcius.

Gruaja e Alexei Navalny

Midis të arrestuarve ishte edhe gruaja e Navalny, Yulia, e cila ishte bashkuar me turmat në kryeqytet. Ajo fillimisht postoi një selfie në Instagram midis turmës, dhe më vonë një tjetër nga brenda një furgoni policie.

Navalny është burgosur fundjavën e kaluar kur mbërriti në Moskë pas kthimit nga Gjermania, ku u trajtua pas helmimit me agjentin nervor, Noviçok.

Ende nuk është bërë e qartë se çfarë efekti do të kenë protestat e 23 janarit për Qeverinë e presidentit rus, Vladimir Putin, i cili vazhdon të ketë mbështetje nga populli.

Në ndryshimet kushtetuese të bëra vitin e kaluar, Putinit i është mundësuar që potencialisht të qëndrojë në pushtet deri më 2036.

Dalja e dhjetëra mijëra personave në protestë nga Moska dhe Vladivostok, ka treguar për interesimin e popullit për fushatën e Navalnyt kundër korrupsionit.