Bota Protestat në SHBA, Trump bën gati ushtrinë: Kur të fillojnë plaçkitjet, do...

Protestat në SHBA, Trump bën gati ushtrinë: Kur të fillojnë plaçkitjet, do të nisin edhe të shtënat

Dy ditë pas vdekjes së George Floyd, një burrë me ngjyrë, i paarmatosur, pas keqtrajtimit nga një efektiv policie, nuk kanë të ndalur protestat në disa qytete amerikane.

Në Mineapolis, ku edhe ndodhi ngjarja tragjike, protestuesit i kanë vënë flakën godinës së rajonit të Policisë.

Për të frenuar dhunën mësohet se mbi 500 trupa të Rojes Kombëtare janë nisur për në qytet.

Presidenti Donald Trump nuk ngurroi të kërcënonte protestuesit. “Mungesë e plotë udhëheqësie. Kryebashkiaku i të majtës radikale, Jacob Frey, ose të bëjë punën, pse do të fus në lojë Rojen Kombëtare”, tha Trump.

“Këta rrugaçë po çnderojnë kujtimin e George Floyd dhe nuk do të lejoj që kjo të ndodhë. Sapo fola me Guvernatorin Tim Walz dhe i thashë që ushtria është me të. Nëse has vështirësi, do ta marrim ne kontrollin, por kur të fillojnë plaçkitjet, do të nisin edhe të shtënat”.

Protestat vijnë pas qarkullimit të një videoje ku policët e Mineapolisit u panë të përdornin forcë të panevojshme ndaj një personi me ngjyrë, i cili më pas vdiq në spital.

Policia tha që George Floyd kishte rezistuar me forcë ndaj arrestimit, por videot të tjera nga bizneset rrotull ngjarjes treguan që nuk ishte e vërtetë. George Floyd nuk kishte kundërshtuar me forcë dhe polici i kishte vënë gjurin mbi qafë, duke i qëndruar përsipër me të gjithë peshën e trupit, gjë që i shkaktoi vdekjen.

Të katër policët janë shkarkuar menjëherë nga detyra, por kjo nuk ka qenë e mjaftueshme për protestuesit të cilët i akuzojnë për vrasje. Veç kësaj, ata protestojnë kundër diskriminimit racor, pasi rastet e dhunës së tepruar ndaj personave me origjinë afro-amerikane janë të përsëritura.