Aktualitet Protestat, procedohet penalisht Voltana Ademi. Arrestime në Tiranë

Protestat, procedohet penalisht Voltana Ademi. Arrestime në Tiranë

Policia e Shkodrës ka proceduar penalisht, kryebashkiaken Voltana Ademi, pasi e akuzon si organizatore të protestës së të shtunës që çoi në shkatërrimin dhe djegien e selisë së Partisë Socialiste në këtë qytet.

Tetë persona akuzohen si organizatorë të kësaj proteste, të cilët sipas policisë kishin për qëllim që të shkaktonin trazira. Procedim është nisur edhe për 17 minorenë të cilët akuzohen për shkatërrim prone.

Ndërkohë 21 të tjerë janë do ndiqen penalisht për pjesëmarrje në tubime të paligjshme. Mes personave të proceduar është edhe bashkëshorti i Voltana Ademit, Franc Mjeda.

Policia ka nisur procedim penal edhe për shefin e zjarrfikësve të Shkodrës Ritvan Bushati dhe një punonjës tjetër të cilët akuzohen për shpërdorim detyre pasi kanë reaguar me vonese pas njoftimit për zjarrin në selinë e partisë socialiste.

Jo vetëm në Shkodër, por edhe në Tiranë Policia vijon me arrestimin dhe procedimin e protestuesve. Në pranga është vënë 1 pjesëmarrës në protestën e së shtunës pasi gjatë kontrollit fizik iu gjet kanabis. Është arrestuar edhe një prej të rinjve që protestuan më 9 dhjetor, i cili ishte sërish pjesëmarrës në tubimin e një dite më parë.

Policia e Tiranës ka proceduar edhe 18 persona të tjerë për tubim të paligjshëm. Nga protesta e ditës së shtunë një oficer policie mbeti i plagosur pasi një kapsollë i shpërtheu pranë syrit.