Bota Protestuesit bllokojnë televizionin shtetëror, Vuçiç largohet nga dera e pasme

Protestuesit bllokojnë televizionin shtetëror, Vuçiç largohet nga dera e pasme

Nuk ndalen pakënaqësitë ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Qindra qytetarë protestuan në hyrje të godinës së televizionit shtetëror “RTS” në Beograd kundër Aleksandër Vuçiç duke i bllokuar atij rrugën. Presidenti serb hyri në godinë për intervistën e tij nga dera e pasme. Protestuesit e shumtë e akuzojnë kreun e shtetit për kontroll të mediave dhe e bëjnë përgjegjës për mos zgjidhjen e çështjeve të vështira.

Nën thirrjet “Vuçiç hajdut”, lideri i opozitës, Bosko Obradovic tha se qeveria e Partisë Progresiste të Serbisë është autokratike dhe e korruptuar.

“Ai hyri përmes kanaleve të minjve nga qendra Sportive Tasmajdan. Vuçiç tregoi se është politikani më frikacak në politikën bashkëkohore të Serbisë”, tha Bosko Obradovic, lider i opozitës në Serbi.

E ndërsa qindra qytetarë protestonin jashtë godinës, presidenti serb publikoi në rrjete sociale një fotografi brenda televizionit shtetëror duke falënderuar mbështetësit e tij. Gjatë intervistës, Vuçiç e cilësoi vendimin e opozitës për të protestuar një sjellje fashiste.

“Ne nuk kemi përdorur kurrë policinë kundër protestuesve. Të gjitha vendet e zhvilluara e përdorin, por jo Serbia. Jam i gatshëm t’u përgjigjem të gjitha pyetjeve, por nuk mendoj se është zgjidhje t’i ndalosh dikujt lirinë e lëvizjes. Kjo është sjellje fashiste”, tha ai.

Pas përfundimit të intervistës, Vuçiç u largua ashtu siç hyri, nga dera e pasme…