Opinione Prova elektorale italiane

Prova elektorale italiane

Nga Gjergji Kajana*

Italia ndodhet prej dy javësh në fushatë elektorale: në 4 mars votohet për Parlamentin e ri të vendit. Kandidatët për fitoren finale janë koalicioni i djathtë trekokësh i udhëhequr nga Berluskoni (koalicion përbërë nga partitë Forca Italia, Liga e Veriut e Vëllezërit e Italisë), Lëvizja 5 Yjet e kandidatit kryeministror Di Maio (populiste) dhe Partia Demokratike (e majtë) e ish-kryeministrit Mateo Renci. Kandidojnë gjithashtu parti të tjera më të vogla pa shanse për të ardhur në qeveri përveçse duke bërë koalicion me një nga tre fuqitë e mësipërme.

Parlamenti Italian përbëhet prej dy dhomash: Dhoma e Deputetëve (630 të zgjedhur) e Senati (315 të zgjedhur + disa senatorë të përjetshëm). Të dyja miratojnë ligjet bashkarisht e të dyja i japin votëbesimin qeverisë. Si Shqipëria, Italia është një republikë parlamentare dhe qeverisë i lind nevoja të ketë një shumicë parlamentare në të dyja dhomat për të parë jetën. Ky do të jetë fjalëkryq i vështirë pas 4 marsit: sipas sondazheve aktuale, asnjë prej tre palëve politike kryesore (e djathta, Partia Demokratike, 5 Yjet) nuk mund të ketë shumicën në dy dhomat. Kjo mund të bëjë të mundur nevojën për koalicione paszgjedhore e rrit mundësitë për përsëritje të zgjedhjeve nëse një shumicë nuk do të gjendet nga tratativat midis partive.

Italia që i drejtohet zgjedhjeve është në një rimarrje të ngadaltë ekonomike pas krizës së thellë që kaloi në fillim të kësaj dekade. Ndryshe nga skenari rrethues recesiv i zgjedhjeve paraardhëse të 2013-s, ekonomia pritet të shënojë një rritje prej 1.5% të PBB-së për 2017-n e papunësia ka zbritur në 11% nga 11.9% para një viti. Në krahasim me një vit më parë ka rënie edhe papunësia rinore e grupmoshës 15-24 vjeç: nga 39.9% në 2016-n ka zbritur në 32.7%. Në krejt Italinë të punësuarit në nëntor 2016 kapnin shifrën 23 milionë e 183 mijë vetë, më e larta prej 40 vjetësh. Janë natyrisht shifra pozitive, por duhet theksuar se për papunësinë vetëm Spanja e Greqia kanë shifra më të larta brenda BE-së ndërsa rritja e PBB-së është nën mesataren e Bashkimit. Shumë prej kontratave të punës janë të përkohshme dhe orët totale të punuara janë më pak sesa ato të pre-krizës. Rritja e PBB-së i detyrohet shumë eksporteve, në praktikë kalorësit e gjithë kryqëzatës antikrizë. Borxhi publik kalon shifrën e 132% të PBB-së dhe vetëm për të paguar interesat e tij Italia i derdh kreditorëve 70 miliardë euro në vit. Secili shpenzim i thellë publik ka nevojë të ketë parasysh këto dy të dhëna themelore ekonomike negative.

Fakti që rimarrja e ekonomisë mbetet në djep është benzina që ushqen motorin e populistëve të Di Maios. 5 Yjet janë kandidatët për të qenë partia më e votuar e 2018-s: sondazhet i japin rreth 28% të preferencave. Janë një lëvizje që lindi si një blog në Internet, nga ideja e sipërmarrësit Xhanroberto Kazalexho e komikut Bepe Grilo.

Janë kthyer në shënjestrën e vërtetë të sulmeve dialektike të Rencit e Berluskonit, të ndërgjegjshëm se mbushja e serbatorit të tyre elektoral kalon përmes zbrazjes së serbatorit të populistëve. Nuk do të jetë aspak e lehtë sepse fundi i depresionit ekonomik nuk i ka dhënë fund depresionit shoqëror të periudhës së krizës. Vota për 5 Yjet është një votë përtej ideologjive të majta e të djathta dhe përfaqëson hakmarrjen elektorale të italianit të mesëm, i papunë ose i keqpaguar, që ndihet i shtrënguar në morsën e një sistemi që nuk jep mundësi të barabarta ngritjeje sociale. Programi i 5 Yjeve përqendrohet tek rrëzimi i rendit partitokratik ku e majta dhe e djathta shihen si shtyllat e tij. Zemërimi i 5 Yjeve, me rrënjë në pabarazinë sociale, nuk u ndal në kohë prej partive të tjera dhe ardhja e tyre në pushtet (mbase në kualicion me ekstremistët e djathtë të Ligës osë Vëllezërve të Italisë ose me një Parti Demokratike pa Rencin sekretar) nuk është më jashtë rendit të mundësive. Propozimi i tyre kryesor ekonomik është një pension social për këdo që ka të ardhurat vjetore më të ulëta sesa 9.360 euro për të bërë të mundur që kjo shumë e përfituar të arrihet me një derdhje monetare prej shtetit. Italia nuk është vend i varfër por është vend të varfërish: varfëria absolute kap shifrën e mbi 4 milionë rezidentëve, në vështirësi për të siguruar një të ardhur prej minimum jetik. Lehtësisht e parashikueshme që 5 Yjet do të kenë serbatorin kryesor të votave të tyre në Jug, pjesa më e varfër e vendit.

Koalicioni i djathtë ka meritën e të qenit një kartel elektoral i bashkuar rreth figurës federuese të Berluskonit. Forca Italia e tij është një parti e moderuar, anëtare e grupit të partive popullore të Merkelit, ndërsa Liga e Salvinit është aleate me ekstremistët e djathtë të francezes Le Pen. Një bashkëjetesë në qeveri e tyre mund të jetë problematike por bashkimi elektoral është mënyra më praktike për të mbërritur në krye të ekzekutivit. Berluskoni (i pakandidueshëm për detyra shtetërore sepse dënuar me mospjesëmarrje në postet publike për shkak të fajësisë së provuar në evazion fiskal) është fytyra e moderuar që përmban populizmin e Salvinit ndaj BE-së e emigrantëve, pjesa e integruar e të cilëve është e nevojshme për të mbajtur në ekuilibër sistemin e sigurimeve shoqërore në Itali. Ndërsa populistët e 5 Yjeve preferojnë të mos prononcohen qartë për aleancat ndërkombëtare (një dyfytyrësi që karakterizon krejt gamën e qëndrimeve të tyre) por hyjnë në forcat euroskeptike, Salvini është politikani më trumpian i Italisë. Koalicioni i djathtë është favorit për të fituar shumicën e vendeve në Parlament. Baza e tij më e fortë elektorale është Veriu, fuqi ekonomike e demografike. Propozimi I tij më i fortë është heqja e ligjit aktual të pensioneve për të mundësuar uljen e viteve të punës të nevojshëm për ta pasur atë. Të djathtët kërkojnë gjithashtu përmbajtjen e flukseve migratore nga Afrika përmes marrëveshjesh bilaterale BE – vende afrikane të origjinës.

E majta renciane ka pak shanse të fitojë zgjedhjet e vetme, megjithëse si parti mund të renditet e dyta pas 5 Yjeve. Para një viti u shkëput prej saj pjesa më majtas Rencit, i cili në thelb është një politikan centrist, një Makron italian. Makron theu populisten Le Pen para 9 muajsh në Paris, Renci do të kryente një mrekulli nëse do të arrinte fitore elektorale mbi Di Maion. Gjatë qeverisjes së tij në 2014-2016 Renci miratoi një bonus prej 80 eurosh në muaj në pagesat e të punësuarve të grupit që fiton nga 8.000 deri në 24.000 euro në vit dhe, duke sfiduar të majtën brenda partisë e sindikatat, kaloi një ligj të ri mbi punën që i dha lehtësira fiskale firmave që merrnin punonjës të rinj, por liberalizonte mundësinë e tyre për të pushuar punëtorët për motive ekonomike. Dha dorëheqjen pasi italianët nuk miratuan para 13 muajsh ndryshimet kushtetuese të nxitura prej Partisë Demokratike. Në 2014 ishte sfiduesi kryesor i sistemit politik kundër 5 Yjeve e Salvinit, sekretari i partisë që në zgjedhjet për Parlamentin Evropian morri 40% të votave. Gjatë periudhës që ishte kryeministër demokratët ishin para 5 Yjeve në sondazhe, por humbën përballë tyre bashkitë e Romës e Torinos. Renci i 2018-s propozon negociata me BE-në për të rritur mundësinë e investimeve publike. Në fundin e legjislaturës që u mbyll nuk pati guximin të shtynte qeverinë në miratimin e një ligji që do t’u jepte shtetësinë italiane të rinjve nën 18-vjeçarë që kanë prindër të huaj dhe që kanë lindur në Itali ose kanë kryer aty një cikël shkollor të plotë.

Skenarët kryesorë post-elektoralë janë tre: një koalicion qeveritar e majta – e djathta si në 2013-n (pa ekstremistët e Salvinit e Vëllezërve), mbase me rikonfirmim në detyrë të kryeministrit aktual të majtë Xhentiloni; një koalicion qeveritar populist 5 Yjet + ekstremistët e djathtë + e majta e shkëputur nga Renci ose një Parti Demokratike pa Rencin; rikthim në zgjedhje për pamundësi të formimit të qeverisë. Kandidatët kryesorë për kryeministër të ardhshëm janë Xhentiloni, Di Maio ose një kandidat i djathtë (mbase kryetari i Parlamentit Evropian Antonio Tajani). Mundësia e rikthimit në zgjedhje nuk është për t’u përjashtuar në këtë klimë shumë të fragmentuar.

Opsioni më i mirë për Italinë, Evropën e Shqipërinë filoperëndimore do të ishte një qeveri e moderuar e drejtuar nga një kryeministër jopopulist, dikush si Xhentiloni, Renci ose i djathti Antonio Tajani. Marrëdhëniet me BE-në do të mbesnin të afërta, ndërsa një populist do t’i ashpërsonte ato. Italia do të mbetej nxitëse e procesit të aderimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. Ndryshe nga vizioni më global i politikanësh të provuar si Renci apo Berluskoni, Di Maio e Salvini janë pjesë e frymës populiste jokompetente që sheh tek liria për shpenzime të thella publike arsyet e qeverisjes dhe mund të gjendeshin me BE-në në konflikte të ngjashme si ato të Tsiprasit në 2015-n.

Për ta Evropa është një fuqi shtypëse burokratësh e bankierësh, një sekt fajdexhinjsh që shfrytëzojnë popujt. Di Maio e Salvini do të preferonin doktrinën Trump: marrëdhënie bilaterale mes shteteve pa nevojën e integrimit të ngushtë aktual, integrim që mundëson liri lëvizjesh brenda BE-së për njerëzit, mallrat e kapitalet. Në të njëjtën kohë, veçse, Italia ka nevojë për rregullat e BE-së për të mbajtur nën kontroll financat e veta publike e evituar zjarre si ai i 2011-s që ndezi benzinën populiste. Nëse kjo frymë demagogjike vjen në qeveri në Romë për Italinë e Evropën parashikohet kohë e paqëndrueshme.

*Diplomuar në Shkenca Politike e Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin “La Sapienza” të Romës