Bota Provokimi/ Turqia dhe Greqia, gati për përballje ushtarake në Egje

Provokimi/ Turqia dhe Greqia, gati për përballje ushtarake në Egje

Ndërkohë që mijëra emigrantë janë mbledhur në kufijtë greko-turk, Ankaraja dhe Athina po i tregojnë njëra-tjetrës “muskujt ushtarakë” duke blinduar kufijtë tokësorë dhe detare që lidhin dy vendet.

Turqia po përgatitet për mbajtjen e një stërvitjeje të madhe detare nga Egjeu në Jon, ndërkohë që Greqia ka shtuar numrin e anijeve që patrullojnë Egjeun për të ndaluar hyrjen e refugjatëve.

Autoritetet greke thonë se janë duke u përgatitur për një provokim të mundshëm turk në Egje, duke rritur gjendjen e gatishmërisë në ishujt Farmakonisi, Agathonisi dhe Kastellorizo ​​në veçanti. Dhjetëra anije të Marinës greke janë vendosur në këto ishuj.

Marina Ushtarake ka ngritur nivelin e gatishmërisë në maksimum, duke ndaluar të gjitha anijet që të lundrojnë brenda ujërave territoriale të Lesvosit, Chios dhe Samos në mënyrë që të ndalojnë hyrjen e emigrantëve përmes detit. Kjo është shënon hera e parë që Greqia ndalon dhe kontrollon të gjitha anijet ndërkombëtare që hyjnë brenda territorit të saj.

Por vendosja e marinës greke në këto ishuj mund të rrisë edhe me tej tensionet me Turqinë, pasi Ankaraja planifikon të mbajë ditët e ardhshme një stërvitje ushtarake përgjatë gjithë Egjeut dhe Jonit.

Në kuadër të kësaj stërvitjeje, Turqia planifikon të vendosë 11 nëndetëse duke filluar nga ngushticat e Dardaneleve, duke vazhduar në gjithë detin Egje, duke përfshirë Kretën dhe duke përfunduar në detin Jon, pranë ishujve grekë të Kefalonisë dhe Zakinthos.

Stërvitja e papritur ka alarmuar autoritetet dhe mediat greke dhe vjen vetëm një ditë pasi Turqia dërgoi 1000 mijë forca speciale në kufirin greko-turk për të shtyrë emigrantët drejt Greqisë.

“Turqia tashmë ka lëshuar të gjitha njoftimet përkatëse të stërvitjes së saj ushtarake. Bllokada e Egjeut dhe prania e nëndetëseve turke edhe në Detin Jon është një taktikë që Ankaraja po përdor për të rritur presionin ndaj Greqisë”, shkruan gazeta greke “Protothema”.

Edhe sipas gazetës “Ekathimerini”, mbajtja e një stërvitjeje ushtarake në mes të krizës humanitare është një hap provokues nga Turqia. “Kjo vjen si një zgjedhje taktike për të intensifikuar presionin ndaj Greqisë”, shkruan gazeta.

Sipas të gjitha gjasave, stërvitja detare pritet të tendosë edhe më shumë marrëdhëniet tashmë të tensionuara midis dy vendeve anëtare të NATO-s dhe BE.

Pas hapjes së kufijve, duke bërë që mijëra emigrantë të mblidhen në kufirin grek, presidenti Erdogan ka takuar të gjithë zyrtarët e lartë të BE-së dhe kryeministrin i Bullgarisë, e cila ndan po ashtu një kufi me Turqinë, por nuk ka pranuar të ulet në një tavolinë me kryeministrin grek Qiriakos Mitsotaqis.

Ky i fundit ka kërkuar ndihmën e BE-së për përballimin e fluksit të emigrantëve, ndërkohë që Brukseli po bën thirrje për vetëpërmbajtje.

Që prej hapjes së kufijve, Greqia ka raportuar po ashtu edhe shkeljen e hapësirës ajrore nga avionët luftarakë turq. “Dy avionë “F-16”fluturuan mbi ishujt grekë të Panagia dhe Oinousses të enjten në mëngjes. Më pas, një tjetër avion turk fluturim mbi ishullin Chios në 38,000 metra lartësi.

“Forcat ajrore turke kanë kryer ditët e fundit shkelje të shumta të hapësirës ajrore greke, pasi pesë fluturime mbi ishujt e Egjeut u regjistruan në mesditë të mërkurën në artësi prej 23,000 metrash”, shkruan “Ekathimerini.

Zhvillimet në kufijtë tokësorë dhe detarë të Greqisë vijnë ndërkohë edhe mes përplasjeve diplomatike mes dy ministrave të jashtëm.

Ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu iu përgjigj një postimi në Twitter nga homologu i tij grek Nikos Dendias, i akuzoi Turqinë se po përdorte emigrantët e dëshpëruar për të arritur objektivat e saj politike. Ndërkohë, Cavusoglu akuzoi Greqinë për përhapjen e lajmeve të rreme dhe tha se ajo “duhet t’i trajtojë refugjatët si qenie njerëzore”.