Partia Socialiste dhe Partia Demokratike në Komisionin e Medias kanë rënë dakord që të nisin procedurat për shkarkimin e 9 anëtarëve të Këshillit Drejtues të RTSH. Kjo për shkak të parregullsive që janë gjetur në garën për drejtuesin e ri të RTSH.
“Që nga sot nisin procedurat për shkarkimin e 9 anëtarëve të Këshillit Drejtues të RTSH, ku 8 janë anëtarë dhe 1 është kryetari i Këshillit Drejtues. Propozoj që nesër të bëjmë dëgjesa me 9 anëtarët, secili me kohën e vet, duke parashikuar një kohë prej 20 minutash për secilin për të mbaruar dëgjesat”, tha kryetarja e Komisionit, Ina Zhupa.
Më herët, kryetarja e Komisionit, Ina Zhupa në emër të kryesisë së Kuvendit theksoi se nuk janë zbatuar në vite rekomandimet e Kuvendit.
Sipas saj, anëtarët e Këshillit drejtues të RTSH ishin të painformuar, por nuk i shpëton mosdija nga shkelja e ligjit.
“Kryesia vlerëson se Këshilli është në shkelje të ligjit, cenon integritet imazh të RTSH dhe ndodhen në kushtet e shpërdorimit të detyrës, neni 115 i Kuvendit. Ju ftojmë të vëmë në lëvizje këtë nen për shkarkimin e anëtarëve – të miratojmë këtë raport për të vazhduar hapin e procedurës dhe për t’iu drejtuar kryetares së Kuvendit për të shkarkuar 9 anëtarët e këshillit, duke qenë se 2 të tjerët dhanë dorëheqjen”, tha Zhupa.
I të njëjtit mendimin ishin edhe deputetët e PS, Evis Kushi dhe Petro Koçi, ky i fundit tha se duhet një reformim i thellë.
“Duhet të fillojmë një proces të rishikimit të kuadrit ligjor, ka qenë një rast i përsëritur dhe duhen marrë masa. Mendoj edhe të rishikojmë ligjin ose statutin ose kodin e etikës, të shohim në detaje të gjithë kuadrin ligjor për të parandaluar shkelje të tilla në të ardhmen”, tha Kushi.
“Ka nevojë për një reformë më të thellë. Formula aktuale është politike dhe ka nevojë për një tjetër, për mënyrën si propozohen dhe votohen në Parlament anëtarët e këshillit drejtues. E meta kryesore është formula politike. Duhet rishikuar formula”, u shpreh Koçi.