Politika PS shpërfill shantazhet e opozitës: Në zgjedhje, edhe pa PD-LSI!

PS shpërfill shantazhet e opozitës: Në zgjedhje, edhe pa PD-LSI!

Ashtu sikurse kishte paralajmëruar, opozita zhvilloi sot protestën e radhës, në epiqendër të së cilës ishte dorëheqja nga mandatet e deputetëve, të përfaqësuesve të saj në Kuvendin e Shqipërisë. Ndryshe nga ajo e së shtunës, gjatë protestës së sotme nuk pati akte dhune. Por tani, ajo që është më e rëndësishme është sjellja e mazhorancës përballë kërkesave të opozitës. Blendi Klosi, përfaqësues i PS-së ishte i ftuar këtë të enjte në emisionin “Top Talk”, pikërisht për këtë çështje.

“Një falenderim i takon medias për interesin që ka, si gjithmonë, në një moment të tillë të rëndësishëm të politikës shqiptare, që vjen pas disa ndodhive të përsëritura. E reja është djegia e mandateve, një veprim ekstrem ndoshta edhe i paparashikuar edhe në ligj, sepse nuk mendohej se do të ndodhte ndonjëherë. Ndodhi e për këtë duhet të flasim sot”, nisi bisedën në studio Klosi.

Përballë faktit që deputetët opozitarë kanë dorëzuar mandatet, Klosi shpreson që demokratët të deklarojnë se përse zgjodhën ta bëjnë këtë, pasi kjo duket realisht e palogjikshme.

Për ata që pretendojnë se është thjesht vendim politik, pasi opozita nga dita e parë kërkon rrëzimin e qeverisë, Klosi deklaroi se edhe gjatë 8 viteve që ai, si funksionar i PS-së, ka qenë në opozitë është tentuar me të gjitha mënyrat ky qëllim; nga bojkoti i Kuvendit, demonstratat, protesta e bllokime rrugësh, grevë urie; por asnjëherë nuk kanë djegur atë që u kanë dhënë njerëzit.

Sa u përket akuzave që rrjedhin nga “dosja 339”, sipas së cilës ka përgjime që tregojnë se zgjedhjet e vitit 2017 janë manipuluar, Klosi tha se zgjedhjet e 2017-s janë firmosur si asnjëherë tjetër nga të gjithë komisionerët, përfshi këtu edhe një grup të madh ministrash të Partisë Demokratike në qeveri, me në krye ministrin e Brendshëm përfaqësues të PD-së, që ishte edhe menaxhuesi i sistemit zgjedhor, duke pasur parasysh edhe një prej fushatave nga më të qetat zgjedhore në vend.

“Ligji nuk ka një qëndrim politik, por një qëndrim personal. Gjithsecili nga deputetët aktualë kanë menduar të mos jenë më deputetë në Parlamentin shqiptar dhe ua kanë lënë këtë të drejtë me vullnet të plotë disa të tjerëve që janë në radhë. Ne si shumicë qeverisëse kemi përgjegjësitë që të shërbejmë në radhë të parë për qytetarët e thjeshtë”, tha Klosi.

Duke këmbëngulur se zgjedhjet e 2017-s kanë qenë të certifikuara nga të gjithë, Klosi ftoi prokurorinë të vazhdojë të hetojë, por veçoi ato të 2017-s si të parat që prej atyre të vitit 1992 që u pranuan në rezultat nga të gjitha palët.

Duke mos pranuar të flasë për krizë politike dhe institucionale në Shqipëri, Klosi tha se ka një krizë shumë të madhe brenda opozitës, një krizë identiteti, aq sa në detyrën e tyre kryesore të të bërit opozitë vepruan në mënyrë ekstreme. “Tani mos prisni që pasi ata kanë hedhur gurin në lumë, ne të gjithë të hidhemi në lumë”, u shpreh Klosi.

Klosi kujtoi më pas periudhën kur socialistët ishin në opozitë dhe vendosën me vullnet të plotë të hynin në grevë urie, gjatë dhe pas së cilës qeveria “Berisha” e asaj kohe nuk dëgjoi asnjë fjalë, por thjesht dilte te dritarja e Kryeministrisë, bënte sikur i përshëndeste dhe ngrinte dy gishtat. Ndryshe nga ata, “këta (demokratët) vendosën të mos sakrifikojnë nga jeta e tyre, por të djegin mandatet. Është zgjedhja e tyre e lirë”, tha Klosi, i cili më tej ngriti pyetjet: Çfarë prisni ju, që shteti të ndalet, të mos funksionojë? Të mos përgatiten zgjedhjet e ardhshme lokale, pse opozita dogji mandatet?

“Padyshim që do të ketë zgjedhje lokale. Ç’është kjo s’ka opozitë? Ka opozitë sa të duash, ka njerëz të pakënaqur me punën tonë, pse duhet të luajë Pelè në fushë që të quhet lojë futbolli? Pelè ka ikur, sikurse edhe Ronaldo etj., kanë ardhur të tjerë të rinj. Edhe kjo punë kështu ka për të shkuar. Problemi më i madh nuk është kush i jep, por kush i merr, pasi do kërkojnë t’i marrin prapë ato mandate që lanë sot. Ata i kanë menduar këto, kanë logjikën e tyre, s’kam asgjë kundër. Padyshim që masa opozitare është një gjë shumë e rëndësishme e këtij vendi, por ama në sjelljen dhe këndvështrimin e Partisë Socialiste, ne kemi për detyrë të sigurojmë jetën e qetë të vendit. Ndaj bëj thirrje që nëse protestat do të vazhdojnë, është shumë e rëndësishme të jenë të ndershme”, deklaroi Klosi.

Duke mos vënë në dyshim përgjegjshmërinë e kësaj qeverie, Klosi shtoi më tej se një nga detyrat e mëdha është të miratohet Reforma Zgjedhore, të miratohen ndryshimet në Kodin Zgjedhor që kërkon përfaqësues, por mungesa në Parlament i ndërlikon të gjitha problematikat.

Por fati do që të jemi përpara një fakti të tillë: opozita nuk është në Parlament, është në rrugë dhe në protestë e ndoshta do të vazhdojë ta thellojë këtë situatë. A do të vazhdojë qeveria të po kaq kokëforte dhe kaq moskokëçarëse?

“Unë drejtoj Ministrinë e Turizmit dhe realisht ndiej shqetësim në lidhje me numrin e turistëve, apo të të huajve që hyjnë në Shqipëri, numër që ka rënë në janarin e 2019-s dhe ditët e para të shkurtit, krahasuar me vitin 2018, dhe e them që ka të bëjë shumë kjo klimë politike. Por e rëndësishme është mosshkelja e ligjit dhe moskapërcimi i së drejtës për të protestuar”, tha Klosi.

Sa i përket zgjedhjeve të 30 qershorit, Klosi ripërsëriti edhe njëherë qëndrimin e tij se opozita mund të mendojë gjithëçfarë kundrejt kryeministrit apo qeverisë socialiste, madje edhe nëse hyjnë në zgjedhje, sipas tij ka të tjerë që hyjnë.

“Në historinë tonë 27-vjeçare të demokracisë në Shqipëri, kush ka bojkotuar dhe kush është tërhequr nga gara, e ka pasur jashtëzakonisht të vështirë të futet në garë. Ne jemi aty për të garuar dhe kemi detyrën kryesore të përfaqësojmë vullnetin e njerëzve që na mbështesin. Nëse ata mendojnë se vullnetin e mbështetësve të tyre e përfaqësojnë duke bojkotuar, atëherë është zgjedhja e tyre”, tha Klosi, i cili në përmbyllje të intervistës së tij tha se opozita dëgjohet vetëm në vende të caktuara dhe jo nga televizori.