Opinione Pse Basha duhet të dalë nga çadra

Pse Basha duhet të dalë nga çadra

Për herë të parë në Londër, më bëri përshtypje diçka, kur po vija rrobat në raftin e dhomës së hotelit. Sapo e hapa, pashë një çadër brenda. Mendova me vete: “Sa mirë që e paska harruar në hotel”. Por u zhgënjeva nga vetja, kur pashë një etiketë në çadër, ku shkruante: “Londra është me shi. Përdoreni, por mos e merrni me vete këtë çadër, kur të largoheni nga hoteli”. Për mua ishte e njëjta gjë, por nga ana tjetër mësova që hoteli pra, nuk të jepte çadër, por të siguronte mundësinë të shëtisje pa u lagur. Ama, çadrën do ta lije aty prapë.

Opozita shqiptare organizon pas 3 vjet e gjysëm të dytën protestë. Kjo e dyta u zhvendos poshtë një çadre. Poshtë të njëjtës çadër ku pozita e sotme, kur ishte në opozitë, qëndroi 19 ditë. Në të njëjtin vend. Nën çadër rrinë 40-50 veta në ditët e zakonshme, ndërsa ditën e enjte çadra popullohet më shumë, pasi shkojnë deputetët dhe shoferët e tyre, diku tek 40-50 shtesë. Po aq parashikohet edhe numri i ditëve të çadrës, 40-50 ditë, dhe nëse nuk bëhet gjë edhe 40-50 ditë shtesë. Po pjesëmarrësit? I vetmi ndryshim mes pjesëmarrësve të dy çadrave është që nën “Çadrën e Ramës” shumicën e përbënin punonjësit e Bashkisë së Tiranës e nën “Çadrën e Bashës” shumica janë punonjës të Bashkisë së Kamzës. Mbetet për t’u verifikuar një gjë. Nëse nën “çadrën Basha” ka ndonjë që ka qenë edhe nën “çadrën Rama”.

Të dyja çadrat i ka furnizuar i njëjti furnitor. Shumë para për mbarëvajtjen e çadrës. Shumë para edhe për ushqimin e pjesëmarrësve. Ushqimi kryesor që furnizohej/t nën çadër është pica. I vetmi ndryshim mes dy çadrave është kostoja e picave. Nën “Çadrën e Ramës” furnizimi me pica kushtonte më shumë, pasi ishte deklaruar si grevë urie dhe sigurimi i fshehtësisë kërkonte masa logjistike shtesë. Basha vetë e frekuenton përditë çadrën dhe mban fjalime që aty. Rama bënte të njëjtën gjë. Si përfundim, ndryshimi mes dy çadrave është që e para ngrehej pas zgjedhjeve, ndërsa kjo para zgjedhjeve.

Protesta është zemra e demokracisë. Protesta është e shenjtë në demokraci, gjithashtu. Në demokraci të zhvilluara njerëzit janë gjithmonë të pakënaqur me qeverinë. E për këtë ata protestojnë. Mënyra se si protestojnë përcaktohet kryesisht nga organizatorët e protestës.

Shtrohet pyetja: Pse nuk protestojnë në rrugë shqiptarët? Pse nuk mbushin përditë rrugë e sheshe, që nga vitet e largëta ’90? Përgjigjen e dimë të gjithë. Nëse nuk dalin me vullnetin e tyre, me nervin e tyre, por dalin të detyruar nga rreziku për humbjen e vendit të punës, apo paguhen për të dalë në protestë, që të nxjerrësh 40, 50, apo 100 mijë njerëz në shesh kushton shumë para. Dihet çmimi i një proteste mbi 40-50 mijë vetë. Edhe Rama edhe Basha e dinë. E kanë provuar. E çfarë bën Basha? Ngreh një çadër. Si paraardhësi i vet Rama. Duke shpresuar të pushojë shiu e të dalë.

Problemi kryesor që kishte “çadra Basha”, që në fillim, ishte raporti mes protestuesve dhe organizatorëve. Si kujton Basha? Që ata ish-shoferë, ish-mirëmbajtës, ish-sportelistë të ish-ministrive të mëparshme, që bëjnë pjesën më të madhe të pjesëmarrësve nën çadër, nuk i njohin më mirë se askush tjetër ish-ministrat e tyre? Pse gënjeu veten Basha kur mendoi se mund të shiste për burra të mirë, Ennon, Gencin, Ridvanin, etj, etj? Ja, tani ata e lanë vetëm dhe u bashkuan nën idealin e vjetër të mbajtjes së bustit të Enverit bashkë me Bujarin. E panë veten të tepërt nën çadër dhe bëjnë sikur janë demokratë për shtet ligjor. Fundja, ata “sikur” kanë bërë gjithmonë.

Basha, duhet të dalë nga çadra! Opozita është roje e demokracisë. E roja nuk mban çadër. Në organizimet e pushteteve demokratike, që ne jemi munduar t’ju përshtatemi ka 25 vjet, pozita bën qeverinë që harxhon taksat e opozita kujdeset që t’i harxhojë ato mirë, qeveria vendos rregull e opozita ruan që të mos shkelen të drejtat e popullit, etj si këto. Opozita nuk është aty për të marrë pushtetin. Pushtetin ta jep populli. Ndaj, mendoj që Basha duhet të dalë nga çadra një minutë e më parë. Basha duhet të dalë nga çadra dhe të organizojë pjesëmarrjen në zgjedhje. Basha duhet ta dijë që edhe sikur vetë Demosteni ti organizonte zgjedhjet dhe Pitagora ti numëronte votat, edhe sikur Rama të mos harxhonte asnjë lek, edhe shumë “sikure” të tjera si këto, PD nuk merr shumicën në Qershor. Pse? Është qeveri e mirë? Zoti më faltë, veçse e thashë, edhe pse nuk e mendoj. Por, arsyen e dimë. Me Florencin e me Krenarin nuk mund t’i marrësh asnjë votë Saimirit. Janë njësoj si ai në punë, veç janë më të pazotë e më idiotë në marrëdhëniet me njerëzit. Kur ju shton këtyre dhe ata monstrat që përmenda më lart e monstra të tjera, që i njohin të gjithë, situata bëhet qesharake, nëse pretendon të dalësh para popullit për votë. E besoj se mjafton përmendja e emrave të llumit të kanalit që ndan Bashën nga të bërit Kryeministër.

Ka disa lobingje shumë interesante, që duket sikur duan ta mbajnë në pushtet Ramën patjetër edhe 4 vjet të tjera. Këto, sikur shtrihen nga kancelaritë e errëta diku larg, deri në kodrat me diell anembanë vendit, ku ka filluar mbjellja e një bime interesante, gjithashtu. Megjithatë, nuk besoj se Rama, edhe sikur të dojë, do të menaxhojë zgjedhje të lira e të ndershme. Rivaliteti me Metën është ai që i trazon jo vetëm gjumin Ramës. E në këtë rivalitet, situata do të dalë jashtë kontrollit. Pyetja shtrohet: Kush do t’i ruajë zgjedhjet? Ajo zonja që nuk blen një krehër për flokët e veta që kushton 1.5 euro, por blen një vilë për më shumë se 1.5 milionë? Jo! Basha duhet të ruajë zgjedhjet, duhet të ruajë demokracinë. Pa demokraci nuk ka rotacion pushtetesh. E që ky rotacion, aq i domosdoshëm, të bëhet realitet, duhet demokraci.

Që ta mbyll, çadra në hotelin londinez jepej në përdorim, jo në pronësi. Ashtu si pushteti, ashtu si opozita në demokraci. As Rama, as Basha nuk duhet të mendojnë se pushteti dhe opozita, përkatësisht, janë pronë e tyre.

*Titull i redaksional. Titulli i autorit: “Demokraci nën çadër”