Opinione Pse Berisha ka vënë në shënjestër dyshen Rama-Vuçiç

Pse Berisha ka vënë në shënjestër dyshen Rama-Vuçiç

Nga Andi Bushati

Që prej ditës që u bë nismëtari i një rezolute të hedhur poshtë nga shumica socialiste, për dënimin e genocidit serb në Sebrenicë, në mënyrë të vazhdueshme dhe me një këmbëngulje gati manjakale, Sali Berisha po sulmon dyshen Rama-Vuçiç. Këtë e përsëriti edhe gjatë mbledhjes së parë të Këshillit Kombëtar të PD, aty ku ky forum ishte mbledhur për të zgjedhur kryesinë e re të partisë dhe jo për të ridizenjuar politikën e jashtme të kësaj force.

Duket qartë se Berisha ka vendosur të shfrytëzojë çdo rast për të treguar me gisht lidhjen okulte të dy njerëzve të fortë të Tiranës dhe Beogradit.

Në pjesën më të madhe të atyre që thotë, ai ka të drejtë. Edi Rama dhe presidenti serb kanë krijuar një marëdhënie që e tejkalon në mënyrë të dukshme suazën e detyrave që ata mbajnë. Kryeministri ynë ka shkelur edhe mbi vijat e kuqe të politikës sonë të jashtme, sa herë që i është dashur të mbrojë partnerin e vet në Beograd. Ai ka kritikuar të gjithë liderët e Kosovës, pa përjashtim, duke qenë në krah të Vuçiçit.

Ai, ndryshe nga gjithë vendet e perëndimit, ka fajësuar qeverinë e Prishtinës për mospërparimin e dialogut serbo-kosovar, duke thënë se këta të fundit e përdorin atë për qëllime të politikës së brendëshme. Ai nuk ka gjetur dot një fjalë për të dënuar mospranimin e fqinjit tonë sllav për ti vënë sanksione Rusisë, ndërkohë që ka vizatuar një tabllo të rreme, duke glorifikuar vetëm rreshtimin e Beogradit përkrah botës perëndimore, me votën në OKB kundër agresionit mbi Ukrainë.

Po ti shtosh këtyre edhe falenderimet e Vuçiçit, se Edi Rama e ka mbrojtur Serbinë në NATO, deklaratat e tij se ne “do ta pengojmë votimin e një rezolute kundër genocidit serb në parlamentet tona mike”, qëndrimi i Berishës për shndërimin e Tiranës në një “Beograd të vogël” zë edhe më shumë peshë.

Por pyetja shtrohet: pse po e bën ai këtë? Pse po këmbëngul me kaq forcë? Pse po insiston, kur dihet se nga kjo kauzë nuk merr ndonjë përfitim të ndjeshëm elektoral?

Ndonëse e pa, që kur thirri një tubim proteste për të kundërshtuar vizitën e Vuçiçit në Tiranë, ai u bojkotua, ndonëse e ndjen që ky ligjërim, që në Kosovë mund të ndezë gjakrat, në Shqipëri përcillet me indiferencë, Sali Berisha vazhdon ti bjerë me kokë të njëjtit mur.

Natyrisht që ai e ka një qëllim, i cili më shumë sesa nga një ekses i papritur patriotizmi, nxitet nga një kalkulim i pastër politik.

Së pari, ndryshe nga apatia e deritanishme e PD-së bashiste, ai e ka kuptuar se një nga kolonat e lobingut ndërkombëtar të Ramës mbështetet mbi premisën e krijimit të paqes në këtë rajon, përmes afrimit të liderëve të dy kombeve më të mëdhenj të tij.

Ai ka qenë i pari që, për ta kundërshtuar këtë, u bë flamurtari i betejës për mos shkëmbimin e territoreve dhe popullësive. Ai e ndjeu se një projekt i tillë, që kishte nga pas edhe Aleks Sorosin edhe Toni Blerin edhe mjaft personalitete të perëndimit, që e patën shpënë atë deri në zyrën e Xhon Boltonit, do hapte rrugën e sundimit të gjatë të Vuçiçit dhe Ramës mbi vendet e tyre. Ai e di gjithashtu se të njëtët faktorë janë sërish në lojë, duke kthyer xhaketën e mbrojtësit të një Ballkani me kufij të pastër etnikë dhe me mure të ngritur dhe duke u shndërruar në predikuesit e një hapsire pa barierra dhe pa kufij, si “Open Balakn”.

Por, që nga projekti, tashmë i lënë pas, i shëkmbimit të territoreve e deri tek tjetri, që nisi fillimisht me emrin mini-shengen, në jetën politike të Sali Berishës ndodhi një ngjarje jo e vogël.

Ai u shpall non grata nga SHBA me gjithë konseguencat e një izolimi të thellë ndërkombëtar që mund të jenë rrjedhojë e një ndëshkimi të tillë.

Prandaj beteja aktuale e Berishës në denoncimin e dyshes Rama-Vuçiç nuk bëhet vetëm për të moslejuar që ata ti imponohen popujve të tyre përmes aureolës së faktorit të patejkalueshëm të stabilitetit rajonal. Më shumë sesa për të luftuar këtë binom, halli i Berishës është personal. Ai do të çajë rrethimin diplomatik që i ka ardhur si pasojë e dekretit të sekretarit Blinken.

Dhe për të arritur këtë nuk ka rrugë më të mirë sesa ti shkelë syrin të gjithë faktorëve që janë kundër projekteve të dy autokratëve të Tiranës dhe Beogradit. Berisha është i ndërgjegjshëm se Gjermania e minoi deri në ekstrem idenë ogurzezë të ndryshimit të kufijve. Ai e di gjithashtu, se nga Merkel tek Scholz kanë këmbëngulur për procesin e Berlinit duke e injoruar “Ballkanin e hapur”.

Prandaj goditja e pareshtur e binomit Rama-Vuçiç i ngjan në thelb dashurisë befasuese dhe të papritur që lideri demokrat pati në moshë të thyer për vlerat e konservatorizmit. Si njëra dhe tjetra janë lëvizje për të peshkuar aleatë të rinj në arenën ndërkombëtare.

Ndonëse Berisha është i ndërgjegjshëm se nuk i shkakton ndonjë dëm të madh elektoral Edi Ramës duke e vizatuar si pro serb, ai e ka këtë një lojë për konsum të jashtëm. Një nga rrugët më të sigurta që ka, për të kapërcyer izolimin e non grata-s, është që të bëjë për vete ata ndërkombëtarë, jo të pakët, që janë afishuar vazhdimit kundër projekteve personale të liderëve të Beogradit dhe Tiranës.