Sport Pse Dybala duhet të arrijë patjetër një marrëveshje me Tottenham

Pse Dybala duhet të arrijë patjetër një marrëveshje me Tottenham

Paulo Dybala rrezikon të dëmtojë përfundimisht marrëdhënien e tij me Juventus-in nëse transferimi i tij te Tottenham do të dështojë për shkak të rrogës së majme që ai pretendon.

“Spurs” kanë arritur një marrëveshje me bardhezinjtë për rreth 75 milionë euro, por Dybala, transferimi i të cilit te Manchester United dështoi gjithashtu për shkak të kërkesave të tija ekonomike, pretendon të paguhet 325 mijë euro në javë, një shifër që do të eklipsonte 217 mijë eurot në javë të Harry Kane, që është edhe lojtari më i paguar i skuadrës.

Sipas burimeve afër lojtarit, ai është i tërhequr nga ideja për të luajtur për bashkëkombësin e tij Pochettino dhe nga jetesa në Londër. Gjithashtu, partnerja e Dybala, Oriana Sabatini, duket se ka një dëshirë të madhe të jetojë në Londër.

Nëse  Paulo nuk do të ulë kërkesat ekonomike dhe do të refuzojë transferimin te Tottenham pak ditë pasi i tha jo edhe United, Juventus nuk do ta merrte aspak mirë.

Bardhezinjtë duan t’i shfrytëzojnë paratë që do të marrin nga shitja e Dybala për të blerë Romelu Lukaku-n nga United, por nëse argjentinasi refuzon të largohet, ata rrezikojnë që të humbasin objektivin e tyre kryesor në merkato dhe të kenë në ekip një lojtar të cilin duket qartë se nuk e duan më.