Kryesore Pse ka kaq shumë viktima nga koronavirusi në Itali?

Pse ka kaq shumë viktima nga koronavirusi në Itali?

Italia ka 48 mijë të infektuar dhe 4821 viktima, me një rritje rekord prej 793 vdekjesh në 24 orët e fundit. Ndërsa Kina ka 81250 persona të infektuar dhe 3253 persona të vdekur.

Në Itali, 8 për qind e pacientë të diagnostikuar me koronavirus kanë vdekur. Ndërsa në Kinë kanë vdekur 4 për qind e pacientëve dhe në Gjermani vetëm 0.3 për qind.

Profesor Walter Ricciardi, këshilltar i Ministrit italian të Shëndetësisë, ka shpjeguar për gazetën britanike The Telegraph arsyet e numrit të lartë të viktimave.

Popullsia e plakur

Italia është vendi i dytë në botë me popullsinë më të plakur. Mosha mesatare e personave të shtruar në spital është 67 vjeç, ndërsa në Kinë është 46 vjeç. Pra, virusi është përhapur më shumë te moshat e mëdha.

Mënyra se si doktorët i regjistrojnë vdekjet

Doktorët italianë shënojnë “vdekje nga koronavirusi”, pavarësisht se personi i infektuar me koronavirus mund të ketë vdekur nga shkaqe ose sëmundje të tjera.

Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë në Itali, vetëm 12 për qind e certifikatave të vdekjeve tregojnë se personat kanë vdekur direkt për shkak të koronavirusit. Ndërsa 88 për qind e pacientëve kanë vdekur nga një, dy apo tre sëmundje të tjera nga të cilat vuanin.

Numri i lartë i duhanpirësve dhe niveli i ndotjes së ajrit

Pjesa më e madhe e vdekjeve ka ndodhur në veri të Italisë, e cila është një zonë e njohur për cilësinë e dobët të ajrit.

Mbingarkimi i sistemit të shëndetësisë

Mjekët italianë nuk janë marrë me një apo dy pacientë, por me 1200 pacientë njëherësh. Presioni u rrit edhe më shumë kur doktorët vetë po infektoheshin me koronavirus.

Shkrimi është publikuar në gazetën britanike “The Telegraph”. I plotë mund të lexohet KËTU