Kryesore Pse këto zgjedhje presidenciale do të jenë më të rëndësishmet në historinë...

Pse këto zgjedhje presidenciale do të jenë më të rëndësishmet në historinë e SHBA-së

Në Shtetet e Bashkuara, çdo katër vjet, gjithmonë dëgjohet e njëjta fjali: “Këto do të jenë zgjedhjet më të rëndësishme të mbajtura ndonjëherë”. Si rezultat, të dëgjosh të njëjtën fjali, të përsëritur pa pushim nga palë të ndryshme, në një kohë kur kanë mbetur vetëm 45 ditë nga votimi i nëntorit, nuk është se do të kuptosh ndonjë gjë të madhe.

Sidoqoftë, vdekja e anëtares së Gjykatës së Lartë, Ruth Bader Ginsburg, e cila ndërroi jetë në moshën 87-vjeçare, ka hapur disa skenarë të rinj, me efekt dhe pasoja që mund të prekin Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe jo vetëm për katër vitet e ardhshme, por për tridhjetë vitet e ardhshme.

E thënë me pak fjalë dhe fare shkurt.

Në Shtetet e Bashkuara, përveç Kongresit, i vetmi institucion që ka një fuqi të vërtetë që thotë fjalën e fundit për pothuajse çdo çështje është Gjykata e Lartë, me seli në Uashington.

Gjykata është e përbërë nga 9 anëtarë, ata kanë pozicione të ndryshme; disa janë më liberalë, disa më konservatorë dhe ka nga ata që kanë pikëpamje pak a shumë të moderuara që shpesh përmbysin ekuilibrat e vendosur sa në njërën anë, sa në tjetrën.

Dhe gjithmonë, fjala është kur ata janë të detyruar të vendosin për çështje shumë thelbësore që mund të ndryshojnë nesër fytyrën e shoqërisë amerikane.

Nga e drejta e abortit, te mbrojtja e emigrantëve dhe deri tek menaxhimi i shëndetit publik, Gjykata ka luajtur gjithmonë rolin e saj themelor në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Por, që kur Donald Trump fitoi zgjedhjet për President të SHBA-ve, Gjykata është bërë gjithnjë e më konservatore dhe kjo falë dy emërimeve; ai i gjyqtarit Neil Gorsuch në vitin 2017 dhe i Bret Kavanough në 2018. Të dy anëtarët u votuan me kundërshti të shumta nga Senati, i cili kontrollohet nga republikanët për shkak se ka shumicën e tij.

Deri në vdekjen e Ginsburgut, situata ishte mjaft e ekuilibruar, me katër gjykatës që ishin konservatorë, katër liberalë dhe me gjyqtarin John Roberts, me pikëpamje të qendrës.

Tani, pa Ginsburg (një simbol i vërtetë për shumë amerikanë), një emërim i ri nga Trump do ta zhbalanconte plotësisht ekuilibrin e Gjykatës, duke krijuar një shumicë absolute konservatore. Dhe një rezultat i tillë, me shumë gjasa, do ta bënte Amerikën një vend krejt të ndryshëm nga sa ne e njohim sot. Pasi emërimet e gjyqtarëve në Gjykatën e Lartë janë të përhershme.

Njoftimi për vdekjen e gjyqtares Ginsburg ende s’ishte dhënë për publikun e gjerë, ndërsa diskutimet për zëvendësimin e saj kishin filluar. Presidenti Trump dhe kreu i republikanëve, Mitch Mçonnell, dëshirojnë të zgjedhin dhe të votojnë një gjyqtar të ri në javët e ardhshme, pa pritur për rezultatin e zgjedhjeve presidenciale.

Një lëvizje kjo që ka kapur në befasi demokratët, por edhe senatorë të ndryshëm republikanë që po përpiqen maksimalisht të rizgjidhen në nëntor dhe që e shohin një vendim të tillë, kur ka shumë pak kohë për të votuar, si një rrezik për kandidaturën e tyre.

Nga ana tjetër, një veprim i tillë do të ishte krejt i pamoralshëm nga ana e republikanëve, pasi në vitin 2016, atëherë kur ish-presidenti Obama donte të zëvendësonte gjyqtarin Anthony Scalia, të njëjtët republikanë të cilët kontrollojnë sot Senatin, refuzuan të miratonin kandidaturën e tij, me pretendimin se një gjyqtar nuk mund të zgjidhet në një vit zgjedhor.

Demokratët, tashmë po kërkojnë që të respektohet ky pakt që u vendos dikur mes palëve, edhe pse ata janë të sigurtë se Trump dhe republikanët do të përpiqen me të gjitha mjetet të realizojnë atë që munden, pasi shansi kësaj radhe është shumë joshës: ata mund ta zgjedhin një gjykatës të ri për të pasur një peshë të madhe politike për vitet që do pasojnë edhe nëse ata mund të humbin zgjedhjet dhe Trump të mundet nga Joe Biden.