Extra Pse kryeministri i Spanjës u kërkon zyrtarëve që të heqin kravatën

Pse kryeministri i Spanjës u kërkon zyrtarëve që të heqin kravatën

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, i cili pritet të vizitojë nesër Shqipërinë në kuadër të procesit të integrimit, ka bërë një thirrje të veçantë për zyrtarët në vendin e tij: “Hiqni kollaret dhe përdorni më pak kondicionerët, për të kursyer energji”.

Kryeministri spanjoll, i veshur me kostum, por pa kollare, ka thënë se kjo është një ndër format më të thjeshta për të përballuar temperaturat e larta, ndërkohë që kriza e gazit ka kapur të gjithë Europën për shkak të luftës Rusi-Ukrainë.

“Edhe sektorit privat i kërkoj që të mos përdorin kravatat kur nuk është e domosdoshme. Të gjithë duhet të kontribuojmë për të kursyer energjinë”, shtoi Pedro Sanchez.

Sipas kryeministrit spanjoll, kjo lëvizje do të mundësojë që për njerëzit të jetë më freskët dhe kështu do të ulen kostot e energjisë sepse kondicionerët do të përdoren më pak.

Kjo nuk është hera e parë që ndërmerret një lëvizje e tillë. Në Japoni në vitin 2011 u bë një fushatë në të cilën u kërkua që zyrtarët publikë të vishnin rroba më të lehta në verë.