Bota Pse lordët e kokainës kolumbiane investuan në ndërtim dhe cili ishte ndikimi...

Pse lordët e kokainës kolumbiane investuan në ndërtim dhe cili ishte ndikimi i tyre në politikë

Pablo dhe Escobar dhe Carlos Rivas Lehder

Nga Raimonda Moisiu

Për shkak se ndodhej gjithnjë e më shumë nën presionin e bastisjeve të policisë, në vitin 1982, Carlos Rivas Lehder largohet nga ishulli Norman dhe kthehet në Kolumbi, ku edhe themeloi partinë e re politike neo-naziste, të njohur me emrin; Lëvizja Kombëtare Latine. Lehder ndërtoi resortin me stilin bavarez në Posada Alemana, dhe në hyrje të diskotekës vendosi statujën e idhullit të tij, – John Lennon, dhe përfund statujës gjendet kitara e Lennon, e shpuar nga plumbat, në momentin e vrasjes.

Amerikanët e paraqesin Carlos Lehder, një marksist të flaktë, por që dashuronte çmendurisht këngët e Beatles-ve. Ai ngashënjehej ndaj politikës dhe antisemitizmit të Hitler-it, kjo edhe për shkak të origjinës gjermane nga babai i tij.

Prania dhe stili i jetesës së Lehder në Armeni, pati një ndikim të thellë, veçmas tek të rinjtë dhe adoleshentët e qytetit. Ata përpiqeshin ta imitonin atë, që nga prerja e flokëve sipas stilit të tij, ndërsa kur e shihnin në rrugë, e përshëndesnin, i puthnin dorën dhe e thërrisnin Don Carlos. Vajzat e reja çmendeshin mbas tij, sikur kishte rënë nga qielli. Lehder ishte i hirshëm, i edukuar dhe sillej me kortezi me vajzat. Nënat e tyre e simpatizonin atë pothuajse po aq sa vajzat e tyre. Por kur disa nga vajzat filluan të kishin probleme me drogën, apo kur pas 5-6 muaj shfaqeshin shenja shtatzanie me fëmijët e Lehder, nënat ndërronin mendimin për të. Ishte veçse zbavitje e argëtim për Lehder, që tashmë kishte realizuar ëndrrën e tij, -dhe gëzonte statusin e aristokracisë “paisa”. U largua në moshë të re, bëri pasuri dhe u kthye triumfues në vendlindje. Njëherë, një miku i fëmijërisë e pyeti Lehderin, se si kishte arritur të bëhej aq i pasur dhe të bënte aq shumë para.

“Kam punuar nëpër restorante në New York,” iu përgjigj sakaq Lehder.

“Vec kësaj shisja makina; pastaj më vonë shita edhe aeroplanë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Në tre vitet e ardhshme Lehder do t’i përgjigjej së njëjtës pyetje në mënyra të ndryshme, ndonëse nganjëherë thoshte të vërtetën.

Pablo Escobar nuk tregonte interes ndaj Lehder-it, për shkak të huqit të tij, që fliste gjithnjë e më shumë nga ç’duhej, për kokainën, dhe prirjes për të thënë gënjeshtra qesharake e pamend.

Carlos Lehder mburrej vazhdimisht, se kishte kontribuar dhe suportuar në Partinë Liberale dhe kandidatin e saj presidencial, duke deklaruar publikisht lidhjen e kartelit me establishmentin politik kolumbian. Pjesa më e madhe e trafikantëve u përpoqën të ushtronin ndikimin e tyre në politikë, por ishte Lehder i vetmi që mburrej së tepërmi, saqë Escobar shpesh i referohej atij-si “Big mouth”(llafazan i prapë). Papjekuria e Lehder nuk përqasej me personalitetin e Escobar, i cili në 1982 fitoi zgjedhjet për në Kongresin Kolumbian si një përfaqësues alternativ nga Envigado. Kur partneri i tij, Jairo Ortega ishte i sëmurë apo i padisponueshëm, Escobar e zëvendësonte. Pra, trafikanti më i pasur i drogës në Kolumbi ishte tanimë një kongresmen! Escobar dhe Ortega ishin aleatë me senatorin Alberto Santofimio Botero, shef i Partisë Liberale në pushtet dhe ndikim të jashtëzakonshëm. Santofimio, duke qenë politikani më i preferuar i kartelit Medellin, u shndërrua në njeriun simbol të korrupsionit e trafikantëve në estamblishmentin e politikës kolumbiane. Escobar punonte fort për Santofimios, ai ishte Don Pablo, që flistë butë e këndshëm, vishte pantallona “chino”, këmishë me mëngë “polo”, dhe një orë dore Rolex e tëra ar dhe diamant. Escobar bëri instalimet elektrike, vendosi dritat në fushat e futbollit, ndërtoi pista patinazhi, madje bënte bamirësi dhe donacione me lekë “cash” në lagjet e varfëra të qytetit. Madje ai ngriti Radio-Shoë- Civics on the March, -ku propagandonte problemet e shtresave sociale, dhe shpalli projektin e tij të strehimit, ndërtoi kompleksin e banesave sociale “Barrio Pablo Escobar”, në lagjet e varfëra të Medellin-it, për njerëzit e shtresave në nevojë.

Gazetat dhe revistat e profilizonin Escobar-in si “Një paisa Robin Hood”.

Në një intervistë për News Magazine”, Escobar u shpreh se “Kur isha gjashtëmbëdhjetë vjeç, kisha në pronësi biznesin e biçikletave me qira, pastaj fillova të blija dhe shisja makina të përdorura, dhe së fundmi u përfshiva në shitjen e pasurive dhe pronave të paluajtshme. Fjalën kokainë nuk e përmendte kurrë! Escobar mund edhe gënjente e manipulonte shumë njerëz, por policia e dinte fare mirë që ai vazhdonte të mbetej i njëjti vrasës gjakftohtë që përdorte vetëm “shotgun”.

Më shumë se kushdo tjetër brenda kartelit Medelllin, Escobar ishte i njohur si “ekzekutori”. Ai kurrë nuk harronte edhe ofendimin më të rëndomtë, mbante mëri dhe inate të forta, derisa hakmerrej.

Carlos Rivas Lehder, trafikanti që revolucionarizoi dhe ngriti rrjetin e transportit të kokainës

Carlos Lehder ka meritën e veçantë në zbatimin e skemës së transportit, njeriu që revolucionarizoi biznesin e kokainës. Në gusht të vitit 1977, Lehder dhe një nga partnerët e tij, ngarkuan me kokainë një aeroplan me dy motorë dhe sistem navigimi interurban e distancave të mëdha, dhe i dhanë pilotit koordinatat e fermës së Pablo Escobar, që gjendej në rrethinat e Medellin-it. Piloti u ngrit nga Nassau, pasi e kishte kamufluar destinacionin e tij, gjasme si fluturim i linjave ajrore në një nga ishujt më jugorë të Bahamas-it, mori ngarkesën me 250 kg kokainë në pistën ajrore të Escobar. Ngarkesa ishte pesë herë më e madhe se çdo sipërmarrje e mëparshme e kontrabandës, në të cilën ishte përfshirë edhe Lehder. Të dy bashkë pastruan 1 milion dollarë në operacionet dy ditore.

Pablo dhe Escobar dhe Carlos Rivas Lehder

Menjëherë, Carlos Lehder investoi pjesën e tij dhe ngriti rrjetin e transportit të kokainës, si një nga bizneset më fitimprurëse. Një vit më vonë, ai kishte në pronësi, ishullin Norman, një vend idilik, pesëdhjetë milje nga Nassau. Në shtatë fluturime të njohura tashmë që përfunduan në 1978, Lehder trafikoi pothuajse një ton e gjysmë kokainë.

Trafikantë të tjerë kopjonin Lehder, dhe nisën të transportonin dhe trafikonin kokainë në shkallë të gjerë. Trafikantët kolumbianë bashkëpunonin dhe bënin marrëveshje mes vedit, për të transportuar ngarkesat. Secili trafikant i parëndësishëm apo i rëndësishëm, identifikonte paketat e tij të kokainës me shenja individuale, stamponin kafshë të ndryshme të Perëndimit të Largët. Do të ishte Jorge Ochoa ai që bëri hapin e parë drejt formimit të një aleance trafikantësh, me klanin e tij dhe të Pablo Escobar, si kokat kryesore të kartelit. Në Prill, 1981, ai thirri një takim në fermën e babait të tij, të njohur si Hacienda Veracruz, në rrethinat e Barranquilla.

Lehder mori pjesë gjithashtu, ndërsa Ochoa doli të mbante nën kontroll operacionin e dërgesave ajrore Ochoa gjithashtu mori në kontroll edhe rrjetin e shpërndarjes së kokainës në Shtetet e Bashkuara,. Vetëm në muajt e parë u regjistruan gati 20 ton dërgesa kokainë, që pas takimit në Hacienda Veracruz. Gjithsesi kishte edhe një mori kolumbianë të tjerë, të cilët ishin shtyllat kryesore në tregtinë dhe trafikimin në rritje të kokainës;

Numri i përgjithshëm i trafikantëve të rëndësishëm në fund të viteve 1970-ë ishte rreth dyqind, që plotësonin kërkesat në rritje për kokainë drejt SHBA-ës.

Bosi i kokainës në Bogota ishte Jose Gonzalo Rodriguez Kacha, i njohur me nofkën ‘The Meksikan”, me një kapital të madh investimi në xhungël. Rodriguez Gacha, 36 vjeç, shulak dhe shpatullgjerë, konsiderohej gjithmonë si një trafikant i dorës së dytë. Ai ishte i njohur përgjithësisht si El Mejicano për shkak se pëlqente shumë kulturën dhe gjërat dashurisë meksikane.

Që me shikimin e parë, të linte të kuptoje se “Meksikani” ishte një “Big player”, që e filloi trafikun e drogës me një avion të prishur, të cilin gjeti në një nga pistat ajrore të xhunglës, dhe megjithëse pati humbje të mëdha në trafikun e kokainës, Rodriguez Gacha, i plotësonte kërkesat për ta bërë atë një partner të Kartelit Medellin.

Partner i kartelit Medellin ishte Pablo Correa Arroyave, i cili ishte kushëriri i Jorge Ochoa dhe një nga bashkëpunëtorët kryesorë të Escobar; Gilberto Jose Rodriguez Orejuela, i mbiquajturi “The chess player” një nga kokat e kartelit të kokainës në Cali. Në 1984, Gilberto Jose Rodriguez Orejuela kishte miliona dollarë në librezën e llogarive të shitjes së tonelatave kokainë në vit. Ata përplaseshin me armë herë pas here, lanin hesapet mes tyre; me vrasje dhe rrëmbime, porse ishin gjithashtu të gatshëm e të mirëkuptueshëm për të bërë marrëveshje dhe oferta financiare joshëse.

Rrëmbimi i motrës së Jorge Ochoas dhe hyrja në lojë e Gjeneral Manuel Antonio Noriega

Më 12 nëntor 1981, një komando M-19 rrëmbeu Marta Nieves Ochoa, motrën e vogël të Jorge Ochoa, i cili tashmë ishte një nga njerëzit më të pasur të drogës në Kolumbi. Fillimisht ata i kërkuan 1 milion dollarë haraç për lirimin e pengut, por më pas e rritën kërkesën deri në 415 milion dollarë. Sigurisht rrëmbimi e irritoi dhe mërziti shumë Jorge Ochoa-n. Madje e nxiti të vepronte shpejt e në kohë, që shënon edhe themelimin e parë zyrtar të trafikuesve të Kolumbisë, në atë që më pas u quajt Karteli Medellin. Në fund të nëntorit, Ochoa mblodhi trafikantët në një “kuvend” që u mbajt në restorantin La Margarita, në Medellin. Ata ranë dakord të bashkëpunojnë me M-19, për të liruar Marta Ochoa-n. Në Kolumbinë e mbytur nga dhuna, krimi, vrasjet e droga, rrëmbimi, bashkëpunimi dhe marrëveshjet, ishin taktika mjaft të zakonshme dhe të njohura, mes bandave e karteleve. Por kërcënimi M-19 ishte i një tertipi tjetër. Ata ishin një bandë rivale a jashtëligjshme, që i shihte trafikantët si armiq ideologjikë dhe milionat e tyre si pre e drejtë, dhe duhej të frenoheshin me patjetër. Secili nga trafikantët pagoi një tarifë të paktën prej 30,000 dollarë, gjithsej mbi 7 milion dollarë – për të krijuar një formacion të armatosur antiguerilas, për të luftuar kundër M-19. Ata e quajtën njësitin antiguerilas,- Muerte a Secuestradores, (Vdekja për Rrëmbyesit), shkurt MAS, që ishte edhe akti i parë zyrtar i kartelit Medellin.

MAS hyri në veprim kundër M-19 me zellin e kryqëzatave fetare. Javët në vijim janë cilësuar si betejë në fushë të hapur dhe pa pengesa midis dy formacioneve rivale. Secila prej tyre përdorte armatime e markave të fundit në sulm. Njësitë e armatosura të MAS vepronin si skuadrat e vdekjes, rrëmbime dhe vrasje të simpatizuesve dhe mbështetësve të dyshuar të M-19. Ishin vendosur enkas njerëz që patrullonin në misionet e kërkimit dhe shkatërrimit kundër instalimeve e përgjuesve të M-19.

Disa raportime që vinin nga fronti i betejave, shpreheshin se mbi njëqind militantë M-19 u vranë dhe u rrëmbyen në gjashtë javë, në muajt, Janar dhe Shkurt. M-19 bëri lutje për paqe në fillim të shkurtit dhe, sipas disa dëshmitarëve, M-19 i kërkoi të ndërmjetësonte pikërisht atij, që kishte qenë mjaft i dobishëm në furnizimin me armatime. Takimi u vendos në Panama City dhe bisedimet zgjatën disa javë. Ai që qëndronte në hije, ishte Gjeneral Manuel Antonio Noriega.

Manuel Antonio Noriega

Më 17 shkurt, Marta Ochoa u lirua, e paprekur dhe e pa lënduar; po ashtu ditën tjetër MAS liroi pesë pengjet e M-19. Nuk dihet ende sa para u paguan në shkëmbim të pengjeve. Një raport i policisë i kohës, raportonte që pagesa ishte e majme, 535, 000 dollarë; ndërsa Jorge Ochoa-s pretendoi se ata nuk paguan asgjë. Për Noriegën, ndërmjetësimi për lirimin e Marta Ochoa-s, ishte mundësia që ai po kërkonte. Negociatat e M-19 i dhanë atij dhe krerëve të kartelit Medellin, shansin për t’u njohur me njëri-tjetrin. Me pak fjalë ishte vetëm rituali i njohjes për të gjetur njeriun e përshtatshëm dhe të duhur. Por ajo ç’ka ishte më e rëndësishme më pas, karteli kishte një mbrojtës panamez; Manuel Antonio Noriega, kolonel, shefi i Inteligjencës Ushtarake dhe kundërzbulimit të Panamasë, njeriu më i fuqishëm në vend. Në Panama, Noriega ishte i vetmi mik që i duhej një të huaji. Shumë shpejt pas takimeve në Panama, falë bashkëpunimit të Manuel Noriegës me kartelin Medellin të Pablo Escobar, Panamaja u bë një pikë tranziti për kokainën kolumbiane, drejt SHBA.

Dokumentet gjyqësore të paraqitura më vonë në Miami tregojnë se Noriega merrte tarifën prej 100,000 dollarë për çdo ngarkesë. Njerëzit e Escobar trajnuan pilotin e Noriegës për të pilotuar Piper Cheyenne-in personal të tij, i ngarkuar me kokainë, në kufirin midis fermës së Escobar-it dhe Panamasë. Deri në fund të vitit 1982, thuhet në dokumentet gjyqësore, se Pablo Escobar kishte transportuar katërqind kilogram kokainë në Panama, ndërsa Noriega rritëte çmimin në 150,000 dollarë për çdo ngarkesë pasardhëse. Të dy palët dukeshin të kënaqur. Nga fundi i vitit 1983 bashkëpunimi Kartel-Noriega kaloi një periudhë pakënaqësi dhe ambicioze. Noriega e dinte se kjo ishte një lojë e rrezikshme për të, por nëse ishte dikush që mund ta luante atë, ishte vetëm ai që i dinte perfekt rregullat e lojës, që mund ta luante atë. Ai ishte diktator, që kurrë nuk shfaqte ngrohtësi njerëzore. Por ai ishte një politikan brilant dhe karizëm elitare që kishte aftësi të paraqitej si lider i Botës së Tretë, dhe mik i ngushtë i udhëheqësit komunist Kuban Fidel Castro, teksa në të njëjtën kohë u shërbente; CIA-s dhe SHBA-ës.

Përgojimet për korrupsion, trafikun e drogës dhe të armëve apo më keq, vërtiteshin rreth tij për vite me radhë, por ai ishte në gjendje të përballonte çdo stuhi ngase “gringos” mendonin se ai ishte çelësi i stabilitetit të Panamasë dhe operacionit pa pengesa në Kanalin e Panamasë.

Noriega mori në mbrojtje krerët e Kartelit Medellin, që ndiqeshin e kërkoheshin nga policia kolumbiane dhe DEA. Madje Noriega u siguroi atyre truproje dhe i sugjeroi Ochoas të merrte me qira një vilë pranë Hotel Marriot, ndërsa Escobar qëndronte në hotelet El Valle dhe Bambito ose në Holiday Inn. Kostoja e hotelit ishte 1 milion dollarë vetëm për Eskobarin, që i paguhej Noriegës.

Vijon

Raimonda MOISIU

Author/Freelancer

Florida, USA