Opinione Pse Maradona ishte më i mirë se Messi dhe Ronaldo

Pse Maradona ishte më i mirë se Messi dhe Ronaldo

Është një gjë të jesh një lojtar brilant i rrethuar nga të tjerë lojtarë gjenialë. Por Maradona bëri magjinë me lojtarë jo të nivelit të tij…

Nga Bobby Ghosh*

Tifozët e futbollit kanë fatin të jetojnë në një kohë kur dy superyje konkurrojnë në të njëjtën kohë për të qenë lojtari më i mirë në historinë e sportit – dhe, edhe më shumë fat që mund të shohin garën mes Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo, javë pas jave, direkt, përpara një audience botërore prej miliardash. Falë YouTube, mund të shohësh video me cilësi të lartë të paraqitjeve të tyre më emocionuese dhe çdo gol të shënuar.

Kur Diego Maradona po përgatitej të fitonte titullin si lojtari më i mirë i të gjitha kohërave, pjesa më e madhe e botës nuk mund të bënte gjë tjetër veçse të shihte talentin e tij gjatë katërvjeçarëve, kur ai përfaqësoi Argjentinën në Kampionatin Botëror të Futbollit në vitet ’82, ’86, ’90 dhe ’94. Duke jetuar në Indi gjatë asaj kohe, nuk i kam parë kurrë momentet më të mira të performancave të tij për FC Barcelona apo Napolin (një qytet në të cilin konsiderohet ende pjesërisht hyjnor, pjesërisht mbretëror).

Tani në internet gjen disa video që shfaqin një kujtim të madhështisë së tij – duke përfshirë GOLIN e famshëm kundër Anglisë më 22 qershor, 1986, në “Azteca Stadium”. Por këto janë vetëm të detaje të asaj që ai ishte i aftë të bënte. Ato nuk përfaqësojnë një dëshmi të mjaftueshme, në mbështetje të argumentit se ai ishte më i miri i të gjitha kohërave.

Çfarë e bën edhe më të vështirë janë provat, edhe më të pakta, për pretendentët e brezave të mëparshëm: Hungaria e Ferenc Puskas; Spanja dhe Argjentina e Alfredo di Stefano; Brazili i Pele, Holanda e Johan Cruyff, Gjermania e Franz Beckenbauer e shumë të tjerë që kanë luajtur në kushte dhe rregulla të ndryshme, në pozicione të ndryshme, të cilët e bëjnë gjithsesi të diskutueshëm argumentin.

Me pak fjalë nuk mund ta dimë nëse Maradona ishte teknikisht më i miri që ka gjuajtur një top. Megjithatë, jam këtu për të argumentuar se ai ishte më i miri i të gjitha kohërave. Mendimi im mbështetet në faktin e thjeshtë që ai, më shumë se të gjithë pretendentët e përmendur këtu, iu afrua më shumë sfidimit të thënies se futbolli është një sport skuadre.

Në pjesën më të madhe të karrierës, Maradona luajti në skuadra që nuk kishin lojtarë të tjerë në nivel botëror. Nëse shikoni në historinë e skuadrës së Napolit, me të cilin pushtoi futbollin italian në vitet 1986-’87, nuk ka as edhe një tjetër futbollist që t’ia ketë dalë të hyjë në ‘hall of fame’ të Serisë A. Ai kishte një ekip mbështetës pak më të mirë në skuadrat e Argjentinës që i çoi në finalen e Kupës së Botës, duke fituar atë të ’86 dhe duke iu afruar në mënyrë të frikshme në ’90 – por askush nuk mund të thotë që Jorge Valdano ishte për Maradona ai që, le të themi, Jairzinho ishte për Pele në ’70.

Është një gjë të jesh një lojtar brilant i rrethuar nga lojtarë të tjerë gjenialë; në këtë drejtim, Messi dhe Ronaldo kanë qenë me fat me skuadrat e tyre. Por Maradona bëri magjinë me lojtarë mediokër.

Çfarë e bën edhe më të jashtëzakonshëm është pesha e pritshmërive që ai mbarte në kornizën e tij të vogël. Kur ai firmosi marrëveshjen me Napolin, në vitin 1984, klubi nuk e kishte fituar kurrë kampionatin italian, e megjithatë, tifozët nisën të imagjinojnë menjëherë lavdinë e kampionatit. “Pibe de oro“, ose “Djali i artë”, ishte talisman, si kapiten dhe si lojtar.

Futbollistë të tjerë – mes të cilëve Messi – prej atëherë u është dashur të përballen me presione të ngjashme, por superyjet e kohërave moderne rrethohen nga një mori profesionistësh të marrëdhënieve për publikun dhe psikiatër për t’i ndihmuar. Maradona, edhe pse nuk pati mbështetje jashtë fushe – megjithatë, dhuroi në vazhdimësi “nder” për klubet dhe Vendin.

Deri sa mbylli sytë, përgjithnjë. Ishte ndoshta e pashmangshme që peshat e talentit do ta shtypnin dhe e bënë në mënyrë spektakolare. Edhe pse ai u rezistoi atyre për një kohë të gjatë.

U prehsh në paqe, Diego Armando Maradona

*Burimi: Bloomberg