Kryesore Pse Meta dorëzoi personalisht në SPAK kallëzimin ndaj Etilda Gjonajt

Pse Meta dorëzoi personalisht në SPAK kallëzimin ndaj Etilda Gjonajt

Presidenti Ilir Meta dorëzoi sot në SPAK kallëzimin ndaj ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj, të cilën e akuzon se ka shkelur ligjin lidhur me publikimin e vendimit të KED në Fletoren Zyrtare. Gjonajt, Presidenti i kërkon dorëheqjen nga detyra.

Meta qartësoi se ka kallëzuar për disa vepra penale Gjonajn dhe dy titullarë të tjerë të Ministrisë së Drejtësisë që i cilëson si një celulë të strukturuar dhe bandë të rrezikshme.

Meta tha se është duke vlerësuar prova të tjera kundër mazhorancës.

Pyetjes se pse Presidenti duhet të dilte vetë në terren për të dorëzuar kallëzimin ndaj ministres së Drejtësisë, Meta iu përgjigj: “Mbrojtja e kushtetutës dhe integritetit të Gjykatës Kushtetuese është detyrë mbi detyrat për çdo shqiptar të ndershëm dhe është kryedetyra dhe misioni i Presidentit.

Nuk ka ndodhur kurrë ngjarje më të rëndë në historinë e shtetit tonë sesa ky akt mafioz ku së fundmi në bazë të provave zyrtare është përfshirë edhe celula e strukturuar në krye të ministrisë së drejtësisë, që ka tentuar një grusht shteti duke rrëmbyer haptazi kompetencën që Kushtetuta e Repulbikës së Shqipërisë ja jep Presidentit me qëllim garantimin e një Gjykatës Kushtetuese, por e kthen si një polici antikushtetuese për të dhunuar të drejtat e qytetarëve shqiptarë në të ardhmen.

Këto fakte tronditëse ishte e domosdoshme t’i sillte vetë Presidenti i Shqipërisë. Padia dhe kallëzimet penale të dorëzuara për tre titullarë, me në krye zonjën ministre ende në detyrë do t’iu informojmë më vonë nëpërmjet zyrës së shtypit të Presidenës. Ne po vlerësojmë prova të tjera që po na vijnë për persona të tjerë të përfshirë për të çuar deri në fund shpartallimin e kësaj tentative të grushtit të shtetit me një ligj antikushtetues për të kthyer Gjykatën Kushtetuese garant të të drejtave kushtetuese nga kjo bandë tepër e rrezikshme”.

Interesimit të gazetarëve se pse Presidenti po ndërmerr një akt të paprecedentë për manifestim më 2 Mars, Meta iu përgjigj: “Më thoni a ka ndonjë republikë në botë dhe në Evropë të një vendi anëtar të Këshillit të Evropës, të një vendi që synon të çel negociatat, ku në mënyrë më mafioze i rrëmbehen kompetencat Presidentit?”

Meta prej ditësh ka publikuar disa dokumente, për të cilat shprehet se janë fakte për atë që ai e quan grushti i shtetit i mazhorancës.

Meta akuzon mazhorancën se po tenton të kapë Gjykatën Kushtetuese dhe institucionet e pavarura dhe këtë nuk do ta lejojë, duke thirrur më 2 Mars të gjithë shqiptarët në një, siç e quan ai, “besëlidhje të dytë”.