Aktualitet “Pse na shikon”, polici tregon arsyet se përse e plagosën

“Pse na shikon”, polici tregon arsyet se përse e plagosën

Polici Ermal Bregu, i cili u plagos mbrëmjen e djeshme me armë nga dy të rinj, ka rrëfyer se si rrodhi ngjarja te ish-Parku i Autobusëve në Tiranë.

“Balkanweb” mëson se sherri ndodhi për një arsye krejt banale.

Bregu ka rrëfyer në polici se dy të rinjtë të cilët jetojnë në lagjen e tij e kishin pyetur pse po i shikonte.

Kaq ka mjaftuar që njëri prej tyre të përdorte armët.

“Dy personat i njoh sepse jetojnë në lagje. Nuk kam pasur konflikte të mëparshme me ta. Gjithçka ndodhi në pak minuta për arsye banale. U gjendëm përballë dhe po më thoshin pse na shikon. Më fyen dhe pastaj u grindëm me fjalë. Pastaj njëri prej tyre nxori pistoletën dhe më gjuajti”, është shprehur polici.

Policia tha se i ka shpallur në kërkim të dy personat që u përfshinë në përleshjen dhe më pas plagosjen e oficerit të policisë të Komisariatit numër 1 në Tiranë.