Aktualitet Pse nuk po merren mediat e huaja me Saimir Tahirin?

Pse nuk po merren mediat e huaja me Saimir Tahirin?

Në kohën e tërmetit politik në Shqipëri, sytë janë kthyer nga mediat e huaja për të parë se si po raportohet kjo ngjarje. Por media ndërkombëtare na ka ‘braktisur’

Nga Enton Palushi

I mrekullueshmi Eqerem Bej Vlora tallej jo pak herë me dëshirën e shqiptarëve për të qenë në ‘qendër të botës’. Në një rast ai tregoi se si sheshoi një konflikt, vetëm duke dhënë premtimin se bëma e shqiptarëve do merrte dhenë.

“Me qindra strategë dhe politikanë të mëdhenj vinin përditë në shtëpinë time dhe më pyesnin se ç’mendon ‘frëngu apo inglizi për Shqipërinë e mrekullueshme, për popullin e saj heroik’. Për Rusinë nuk donin të dinin, ajo ishte miku i armikut tonë, pra armiku ynë. Kur kisha nge dhe dëshirë për shakara, unë bëja sikur i merrja seriozisht këto budallallëqe dhe rrëfeja përralla, por bëja kujdes që të mos bëja gafa, dhe i masja mirë përgjigjet e mia për të mos ndodhur që të kundërshtoja vetveten e të bija në grackë.

Gjeneral Preng Bib Doda pasha, kapidani i trashëgueshëm i Mirditës, një nga prijësit më të zgjuar, më të shkolluar dhe më simpatikë të Shqipërisë, rrinte një ditë në kullën e tij mes një tufe kokëkungujsh të tillë dhe nolens volens, i duhej të bisedonte me ta. Ai më tregoi më vonë, se atë ditë, për hir apo për shaka, ra vërtet në kundërshtim me fjalët që kishte thënë më përpara. Dëgjuesit e kapën menjëherë dhe i thanë: “Pasha, duket se po na heq për hunde. Njëherë na thua një gjë, pastaj një gjë tjetër. Na e thotë mendja se kë bërë mend të na shesësh”. Preng Pasha ishte vetë shakatar si rrallëkush. “Po o bij shejtani, qeshi ai, do t’ju shisja me gjithë qejf, po kush ju blen se?” Dhe përnjëmend shqiptarët janë shumë herë si fëmijë. Madje fëmijë të vështirë dhe të llastuar,” shkruan ai.

Kohërat ndryshojnë, por dëshirat mbeten të njëjta. Këto ditë, kur Shqipëria është trazuar kaq shumë për shkak të historisë së një përgjimi, ku thuhet se implikohet edhe ish-ministri i Brendshëm, bie në sy një gëzim fëminor i disa portaleve, se çështja e Tahirit nuk po gjen pasqyrim në mediat e mëdha italiane. Sipas këtyre portaleve, gazetat me tirazh të lartë në Itali nuk kanë shkruar për ngjarjen, përveç ndonjë portali periferik të Katanias. Me shumë gjasë, sipas tyre kjo tregon se çështja e Tahirit është një flluskë sapuni. Që ngjarja në fjalë ka tronditur themelet e politikës shqiptare, këtë nuk është nevoja që ta kërkojmë tek media italiane. Por thellë-thellë, historia në fjalë nxjerr në dritë një problem shqetësues, me pasoja për demokracitë e brishta në mbarë botën.

***

Gazetari Tim Judah, në një mesazh të shkurtër në rrjetet sociale shkruante se tani e kishte kuptuar se përse autoritetet italiane nuk i kishin folur për Tahirin, kur i pyeti më shumë se një vit më parë për çështjen e kanabisit. Judah ishte ndër të paktët gazetarë që publikoi një material disi më të thelluar për çështjen e kanabisit, përveç atyre raportimeve të thata të agjencive AP dhe Reuters. Të shtrira në kohë, mund të gjesh artikuj të mediave serioze si FAZ apo BBC, por në fund duhet të pranojmë se në mediat ndërkombëtare gjenden gjithmonë e më pak lajme për Shqipërinë e hallet e saj. Edhe ato lajme që politika e portalet i shesin me titujt e zakonshëm si “bomba nga mediat prestigjioze”, shpesh janë disa shkrime të sponsorizuara nga Tirana.

***

Vitet ’80 dhe ’90 ishin vitet e arta të mediave ndërkombëtare. Ndikimi i tyre për zhvillime shumë të rëndësishme në botë ishte i pamohueshëm. Disa ekspertë thonë se lufta e Kosovës ishte ndoshta ngjarja e fundit kur mediat e mëdha u përfshinë fuqishëm. Më pas nisi tkurrja. Televizionet nisën të mbyllin zyrat lokale dhe korrespondentët u bënë si ujët e pakët. Gazetat e mëdha shtuan faqet, por në to gjen gjithmonë e më shumë pak lajme të rëndësishme ndërkombëtare. Televizionet lokale nisën të zënë vendin e studiove të mëdha. Gazetat e mëdha u zhytën më thellë në krizën e mediave të printuara. Pastaj erdhi interneti. Këtu gjërat u bënë akoma më keq, edhe pse ishte menduar se liria dhe lidhjet mes njerëzve do bëheshin më të lehta. Mediat e mëdha humbën rëndësinë për shkak të fluksit të madh të lajmeve që po qarkullonte. Bashkë me të humbën edhe reklamat. Mjafton të shihni CNN ndërkombëtar për të kuptuar se sa logo të rralla reklamojnë aty. Demokracitë e reja fituan më shumë transmetues televizivë dhe gazeta vendase, por humbën një aleat të rëndësishëm për fuqizimin e demokracisë.

***

“Përse nuk po dëgjojmë më për botën? Një arsye është se rrjetet e lajmeve kanë reduktuar në gjysmë numrin e zyrave jashtë vendit”, thotë Alisa Miller, drejtuese e Radios Publike Ndërkombëtare në SHBA.

“Po sa i përket internetit? Faqet më popullore të lajmeve nuk janë më mirë. Një studim i fundit tregon se shumica e lajmeve janë histori të ricikluara nga AP dhe Reuters dhe nuk i vendosin gjërat në kontekstin që njerëzit të kuptojnë lidhjen”.

“Kjo shpjegon se përse të diplomuarit e sotëm, si dhe ata më pak të edukuar në SHBA, dinë më pak për botën se kolegët e tyre 20 vjet më parë”.

E thënë më ndryshe, pavarësisht se bota është bërë më e ndërlidhur, historitë e Shqipërisë së vogël nuk ia dalin kurrë të bien në sytë e vendeve të mëdha, pavarësisht dëshirës sonë.

***

Martin Moore shkruan në “The Guardian” se tre nga gazetat më të mëdha në Angli, pavarësisht se kanë shtuar faqet e tyre, në brendësi kanë në total vetëm tre lajme ndërkombëtare. Ta mendosh që një prej tyre është edhe Daily Mirror, e cila në vitin 1979 shpërthente skandalin e vrasjeve në Kamboxhia. Por hidhini një sy asaj sot.

“Nëse kjo rënie vazhdon, dhe organizatat e huaja të mediave vazhdojnë të tërhiqen nga raportimi për atë që ndodh jashtë vendit, ne të gjithë do humbasim”, shkruan Moore.

Ndaj kur të mendoni se bota e ka vëmendjen tek Shqipëria, thjesht kuptojeni se vëmendjen e saj e kemi humbur prej kohësh. Jo vetëm ne, por shumë shtete që kanë nevojë për median e madhe ndërkombëtare si një aleat. Jo më kot Human Rights Watch shkruante para disa kohësh se me humbjen e raportimeve nga mediat e mëdha, shumë vende po humbasin edhe një tjetër gardian të demokracisë.

As miliarderët dhe as shërbimet e huaja nuk po zgjidhin gjë

Në kohën e kësaj krize, kur lajmet false dhe spekulimet kanë mbushur mediat, duke shkaktuar kaos edhe në vende të zhvilluara, thjesht mund të mendosh se çfarë ndodh në vende si Shqipëria. Jo më kot vëmendja kthehet tek disa raportime të shërbimeve të mediave të huaja në shqip. Por edhe ato e kanë humbur shkëlqimin e dikurshëm. Zërin e Amerikës e inspektojnë më shumë gazetarët për të parë e lexuar mes rreshtave ndonjë qëndrim interesant. BBC i ka mbyllur ‘dyert’ e gjuhës shqipe prej kohësh, kurse DW dhe Evropa e Lirë nuk kanë arritur të kenë ndonjë ndikim. Shpresa e shfaqur kohët e fundit se miliarderët, sidomos ata të rinjtë e internetit, do të mbajnë gjallë gazetat e televizionet e mëdha, po rezulton po ashtu e kotë. Rasti më i fundit është ai i pasanikes Alice Rogoff, që ra në dashuri me Alaskën dhe bleu një të përditshme të asaj zone. Por “Alaska Dispatch News” nuk e pati të gjatë dhe tashmë ka depozituar kërkesën për falimentim. Edhe pse kishte premtuar se gazeta do vazhdonte të jetonte për dekada, Rogoff e pranoi se ishte e vështirë. “Sigurisht ky nuk ishte rezultati që preferoja,” tha ajo./Mapo