Politika Pse PD nuk propozon një kandidat për president? Alibeaj: Nuk dua të...

Pse PD nuk propozon një kandidat për president? Alibeaj: Nuk dua të bëj pazar me emra

Pas mbarimit të Konferencës së Kryetarëve, Enkelejd Alibeaj, ka folur në lidhje me çështjen e zgjedhjes së presidentit. Ai tha se ishte i gatshëm që të takohej me mazhorancën që tani në prezencën e kamerave, por sipas tij kjo u refuzua nga Balla. Ky i fundit propozoi që ata të takoheshin në orën 18:00. Sipas Alibeajt, kjo bëhet për të shtyrë ditët drejt raundit të 4 dhe të 5 ku presidenti zgjidhet me shumicë të thjeshtë.

“E sqarova. Unë isha i gatshëm që tani. E patë apo jo? Ta diskutojmë tani. Dakord. Ikën. E pra, këto historitë që am i gatshëm, por s’jam i gatshëm. Këto jo! Kishte më mirë se sa aty, Konferenca e Kryetarëve, juve ishte prezent, publiku po e ndiqte. Këto historitë jo sot jo nesër janë spërdredhjet e mazhorancës. E kuptoj se cili është qëllimi i këtyre. Qëllimi është për të shtyrë ditët, për të trazuar ujërat sipas opinionit të tyre nga opozita. 

Ka sens të bëhet dhe të zgjidhet brenda 3 raundeve të para. Të zgjedhim një president që nuk i përket dhe të mos jetë zgjedhje e palëve politike, por ta ndjejë dhe publiku ta kuptojë që presidenti është zgjedhur për shkak të vlerave që ai mbart”, tha Alibeaj.

Ai shtoi më tej se opozita nuk i ka vendosur asnjë kusht Partisë Socialiste. “Unë e thashë, nuk është një kushtëzim që i bëjmë atyre. Sfidën e kemi me ju, me publikun, me shqiptarët. Me vota në parlament e zgjedhim, por votat nuk janë individuale tonat. Unë interesohem që procesi më qortohet së paku nga gjysma e shqiptarëve. Kësaj do i bëj shërbimin deri në fund”, tha ai.

Ndërsa pyetjes se pse nuk propozon një emër, Alibeaj tha: “Nuk dua të bëj pazar me emra. Mendoj se është logjike, e ndershme dhe e hijshme që para se të shkojmë te emri, të vendosim disa kritere”.

Duke qenë se refuzoi ftesën e Ballës për takim Alibeaj sqaroi se nuk po shmanget, por tha se nuk merret me lojëra dhe duhet të jetë serioz në këtë proces.