Aktualitet Pse po bëhen pak teste në Shqipëri? Komiteti Teknik i Ekspertëve: Nuk...

Pse po bëhen pak teste në Shqipëri? Komiteti Teknik i Ekspertëve: Nuk ka arsye të ndryshojmë strategjinë

Komiteti Teknik i Ekspertëve, nisur nga intensifikimi i debatit publik mbi numrin e testimeve që është duke kryer Shqipëria në kuadër të luftës kundër Covid-19, ka sqaruar me anë të një komunikate për shtyp strategjinë që po ndjek.

“Strategjia e testimit për Covid 19 bazohet në ekspertizë, në karakteristikat e modelit të përzgjedhur sipas rekomandimeve të OBSh për qëllimin, zbulimin e rasteve, ndjekjen dhe ndërprerjen e zinxhirit të infeksionit. Debati mbi testet për Covid 19, mbi sasinë e testeve që kryhen, mbi rezultatet e një modeli apo një modeli tjetër, është një debat i cili vazhdon të zhvillohet në mbarë botën dhe ka opinione e qasje nga më të ndryshmet. Përgjegjësia e Komitetit Teknik të Ekspertëve është që të zbatojë një strategji të mirëpërcaktuar, e cila synon të identifikojë rastet, të ndjekë dhe të ndërpresë zinxhirin e transmetimit të infeksionit. Një strategji që, duke u nisur nga konstatimet dhe rezultatet e derisotme, nuk gjejmë asnjë arsye për ta rikonsideruar”, lexohet në komunikatë.

“Detyra funksionale e Komitetit Teknik të Ekspertëve është që të udhëzojë dhe të kërkojë mbështetje të vazhdueshme nga autoritetet, me qëllim zbatimin rigoroz të një strategjie të përcaktuar qartë, të luftës kundër Covid19 në tërësinë e saj. Komiteti Teknik i Ekspertëve vlerëson se masat e marra nga autoritetet shqiptare, kanë qenë tejet të dobishme dhe kanë patur efekte pozitive, të cilat duhet bërë kujdes maksimal, që të mos zhbëhen prej lehtësimeve që mund të rezultojnë të parakohshme. Komiteti Teknik i Ekspertëve vlerëson se në kushtet e krijuara prej masave shtrënguese, puna hetimore në terren dhe rezultatet e saj, kanë qenë optimale deri në këto momente. Edhe për këtë arsye, Komiteti Teknik i Ekspertëve nuk sheh asnjë arsye për të rikonsideruar Planin tonë të paracaktuar Strategjik”, shton Komiteti.