Extra Pse punonjësit më të mirë po e humbin motivimin?

Pse punonjësit më të mirë po e humbin motivimin?

Ka shumë mënyra në të cilat drejtuesit, pa vetëdije, ulin motivimin dhe entuziazmin e punonjësve. Më poshtë janë pesë mënyra se si e shkatërroni moralin e punonjësve tuaj.

A i motivoni punonjësit tuaj? Apo në mënyrë të pandërgjegjshme po bëni gjëra që i demotivojnë ata?

Është përgjegjësia juaj në cilësinë e drejtuesit që të dëgjoni nevojat e punonjësve tuaj. Nëse doni që punonjësit tuaj të jenë të angazhuar, ata kanë nevojë që të ndihen të dëgjuar dhe të vlerësuar.

Sipas një studimi të publikuar në Harvard Management Update, morali i punonjësve bie ndjeshëm pas gjashtë muajve të parë në punë dhe vijon të përkeqësohet vite më pas në rreth 85 për qind të kompanive.

Nëse mendoni se jeni drejtues i një ekipi punonjësish të paangazhuar dhe me moral të ulët, më poshtë janë pesë arsye se pse punonjësit tuaj po humbin motivimin.

1.Mungesa e pjesëmarrjes

A kanë punonjësit tuaj liri të veprojnë sipas mënyrës të pavarur dhe të bëjnë ndryshimet e nevojshme në mënyrën se si punojnë? Nëse një punonjës ndien që askush nuk është i interesuar tek idetë e tij është e thjeshtë ta humbë motivimin në zyrë. Bëni biseda të drejtpërdrejta me punonjësit tuaj, rreth asaj se çfarë mendojnë se duhet bërë për të përmirësuar eficencën dhe efikasitetin.

2.Nevojë për më shumë barazi

Një punonjës do të ndihet i respektuar dhe do të ndihet se është trajtuar në mënyrë të drejtë kur bëhet fjalë për pagën, përfitime të tjera dhe sigurinë në punë. Sigurohuni që punonjësit të ndihen të kënaqur në këto tri pika.

3.Marrëdhënia mes kolegëve duhet të përmirësohet

Performanca e një punonjësi mund të jetë shumë e mirë kur ai punon individualisht, por si është marrëdhënia me kolegët? Punonjësit janë më të angazhuar kur marrëdhëniet mes tyre janë më të forta dhe produktive. A shkojnë mirë mes tyre punonjësit apo bashkëpunimi është i vështirë?

4.Mirënjohja

Pavarësisht kontributit të një punonjësi, i madh apo i vogël, ju nuk duhet të kurseheni të shprehni mirënjohjen tuaj. Shmangni pakënaqësinë te punonjësit, mos nxitoni t’i kritikoni ata dhe mos jini të ngadaltë t’u shprehni falënderimet për rezultatet e arritura.

5.Të paaftë në identifikimin e qëllimit

A e dinë punonjësit se cili është qëllimi i kompanisë. Dhe çfarë është më e rëndësishme, a i kuptojnë ata arsyet që qëndrojnë pas këtij qëllimi? Si punëdhënës, është e domosdoshme që ju t’u
komunikoni rëndësinë e punës, nëse dëshironi që punonjësit tuaj të jenë të motivuar. Komunikojeni këtë qëllim në mënyrë të qartë.
Ka shumë drejtues që pa dashje ulin motivimin dhe entuziazmin e punonjësve. Kur drejtoni një ekip punonjësish, sigurohuni që politikat dhe procedurat ndihmojnë pozivitivisht tek morali i punonjësve.

*Peter Economy
Burimi: INC