Opinione Pse raporti i Komisionit Europian nuk pati rëndësi për shqiptarët këtë vit?

Pse raporti i Komisionit Europian nuk pati rëndësi për shqiptarët këtë vit?

Nga Gjergji Vurmo, Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim

Publikimi i raportit të Komisionit Europian javën e kaluar kaloi pa shumë vëmendje dhe me një mbulim të vakët nga media. Më shumë mbulim pati “pushtimi” i orbitës së Tokës me satelitë shqiptarë, sesa dokumenti 135-faqesh i përgatitur në Bruksel.

Vitin e kaluar, shumë shqiptarë mezi e pritën raportin dhe qëndrimin e Këshillit për hapjen e negociatave për anëtarësim. Por këtë vit nuk kishte fare emocione dhe kryeministri Rama nuk e fshehu indiferencën në konferencën për media me ambasadorin Luigi Soreca.

Edhe pse ambasadori vuri në dukje rekomandimet e raportit duke nënvizuar disa gjetje shqetësuese, Rama nuk u duk i shqetësuar. Në fakt, Rama i hodhi me qetësi poshtë disa vërejtje për lirinë e medias. Madje foli edhe për çështje që ambasadori nuk guxoi t’i përmendte, si databaza e patronazhistëve, duke e pranuar hapur pronësinë e asaj liste nga ana e PS.

Këto mund të jenë të dhëna të vogla, por shumë domethënëse, për faktin se sa i parëndësishëm është bërë raporti vjetor i Komisionit Europian, jo vetëm për politikanë lokalë, por edhe për shqiptarin e zakonshëm.

Kjo është shumë e pazakontë sidomos për Shqipërinë, një vend ku njerëzit kanë më shumë besim te BE dhe institucionet e tjera ndërkombëtare më shumë sesa të tyret, sipas raporteve të përvitshme të IDM për besimin në qeveri.

Ndërsa shumica e shqiptarëve vijojnë ta mbështesin anëtarësimin në BE, janë dëshmitarë të një procesi zgjerimi që nuk është transformues apo strategjik për BE-në dhe nuk konsiderohet prioritet nga shtetet anëtare.

Teksa raportet e Komisionit Europian bëhen gjithmonë e më pak joshëse për shqiptarët dhe BE vijon të manovrojë për t’i dhënë përparësi stabilitetit, është thjesht çështje kohe rënia e mbështetjes te shqiptarët nën 50%. Kryeministri Rama dhe homologët e tij në Serbi e Maqedoninë e Veriut duken të përgatitur dhe madje po punojnë fort për një skenar të tillë, duke ofruar ëndrra boshe me një treg të përbashkët ku sundojnë standardet ballkanike dhe jo ato europiane.

Sipas raportit të Komisionit Europian për vitin 2021, Shqipëria ka performuar lehtësisht më mirë sesa një vit më parë (2020). Pavarësisht sfidave për shkak të rindërtimit pas tërmetit dhe situatës më Covid-19, Komisioni vlerësoi arritjen e Shqipërisë në lidhje me kriteret ekonomike (konkurrueshmëria, prokurimi publik, statistikat, etj.) agjendën e gjelbër dhe konektivitetin. Rikthimi i opozitës në jetën institucionale pas dy vitesh bojkot shihet si një mundësi për dialog politik dhe bashkëpunim për reforma, pasi i kishin lejuar socialistëve kontroll të plotë në nivel qendror dhe lokal. Humbësja më e madhe në këtë veprim të pamatur dhe katastrofik ishte, sigurisht, demokracia shqiptare që pësoi përkeqësim të ndjeshëm në dy vitet e fundit.

Në vlerësimin e kritereve politike në raportin e vitit 2021 ka nota pozitive dhe negative. Ndërsa vlerësohet përparimi në reformën në drejtësi, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, theksohet shqetësimi serioz për lirinë e shprehjes dhe medias, ndërsa kërkohen më shumë veprime konkrete për disa sfida të tjera, si financimi i partive politike, hetimi i korrupsionit të nivelit të lartë, shoqërisë civile etj. Me një gjuhë diplomatike që përpiqet me tepri të mos lëndojë ndjenjat e politikanëve, sidomos atyre në pushtet, përgjithësisht raporti pikas sfidat në të cilat duhet bërë më shumë përpjekje.

Pavarësisht mangësive, raporti i Komisionit me të drejtë shtyn vendet anëtare që të hapin negociatat pasi Shqipëria i ka përmbushur kushtet e vendosura prej tyre. Nga ana tjetër, fakti që procesi i anëtarësimit nuk bazohet më te merita, si dhe është i paparashikueshëm, bën që me të drejtë shqiptarët ta injorojnë këtë vit publikimin e tij. E kush do t’i vinte faj?