Aktualitet Pse u ekzekutua menaxheri i VIP-ave? Ja pista kryesore që po hetohet

Pse u ekzekutua menaxheri i VIP-ave? Ja pista kryesore që po hetohet

Vrasja e Jurgen Kurtit në rrugën “Zef Jubani” tronditi mbrëmjen e djeshme Tiranën, teksa krismat dhe përgjakja e rrugëve në zonën e “Tiranës së Re” tashmë duket se janë bërë të zakonshme.

26-vjeçari që mbeti viktimë e atentatit mafioz nuk është personazh i panjohur as për drejtësinë e as për shqiptarët, pasi është shfaqur disa herë në media si menaxher VIP-ash dhe ka rrëmbyer vëmendjen e të gjithëve pasi u akuzua për vrasjen e babait të tij.

I riu u ekzekutua me armë teksa ndodhej pranë banesës së tij, sapo kishte përfunduar palestrën.

Dyshohet se Kurti u qëllua nga një makinë tip “Benz E Class” me ngjyrë të zezë, ndërsa autorët pas ekzekutimit u larguan në drejtim të Liqenit Artificial.

Ekspertë të policisë shkencore kanë sekuestruar disa kamera sigurie dhe biznesesh në zonë, por duket se do të jetë shumë e vështirë që të rindërtohet me saktësi ngjarja. Pavarësisht këqyrjes së pamjeve, grupi hetimor e ka të vështirë të dallojë qartë nga cili prej disa automjeteve në rresht, është qëlluar në drejtim të 26-vjeçarit.

Edhe identifikimi i targave të automjetit nga u qëllua për të vrarë Jurgen Kurtin, ka qenë i vështirë.

I riu ka marrë shumë plumba në trup, ndërsa në rrugën ‘Zef Jubani’ janë gjetur të paktën 15 gëzhoja. Autorët kishin monitoruar të gjitha lëvizjet e viktimës, duke pritur momentin më të përshtatshëm për ta qëlluar pas shpine në hyrje të pallatit të tij.

Grupi hetimor dyshon se Kurti u ekzekutua nga dera e pasme e një automjeti në lëvizje, i cili më pas mundi t’i shpëtojë ndjekjes së policisë i ndihmuar edhe nga errësira.

Sipas “ABC News”, dy janë pistat që po hetohen nga organi i akuzës. E para lidhet me atë të hakmarrjes, ndërsa pista ku po përqendrohen më shumë hetuesit është ajo e prishjeve së pazareve të drogës.

Pikërisht, kjo është arsyeja pse janë marrë në pyetje edhe miqtë e afërt të Kurtit.

Edhe pse vetëm 26 vjeç, Kurti ka qenë “protagonist” në dy histori të kronikës së zezë, ndërsa njihet edhe për aktivitetet e tij si biznesmen që shtrihen në 10 fusha të ndryshme.