Sport PSG kërkon 300 milionë për Neymar, Barça bën kundër-propozim me Coutinho-n

PSG kërkon 300 milionë për Neymar, Barça bën kundër-propozim me Coutinho-n

Spanja ka përpjekje serioze për ta rikthyer Neymar në La Liga, duke përfituar nga distanca që duket se është krijuar në muajt e fundit mes lojtarit dhe kampionëve francezë. I blerë dy vite më parë për shumën e pabesueshme të 222 milionë eurove, braziliani e ka humbur shpejt besueshmërinë në Paris. Ai ka kaluar nga statusi i të paprekshmit në merkato, nisur nga lëndimet e shpeshta dhe akuzat e fundit për përdhunim.

Kjo është arsyeja pse fjalët e thëna disa ditë më parë nga presidenti Nasser Al-Khelaifi, se nuk do të mbajë asnjë futbollist, që prish imazhin e klubit, tingëllojnë si një hapje dere për brazilianin. Të paktën kështu e ka kuptuar Barcelona, e cila synon kthimin e Neymar në “Camp Nou”, sepse kjo gjë kërkohet me ngulm edhe nga Messi, Suarez e Pique. Sidoqoftë, PSG kërkon 300 milionë euro.

Një shifër shumë e lartë për arkat e Barcelonës, një klub që tashmë ka paraqitur një kundër-propozim. Sipas katalanases “Sport”, kampionët e La Liga-s kanë ofruar 100 milionë euro, plus kartonin e Philippe Coutinho, për të mbërritur te Neymar. Nëse kjo nuk është e mjaftueshme, blaugrana-t janë gati të përfshijë në bisedime edhe njërin mes Ivan Rakitic dhe Samuel Umtitit, ose për të rritur pjesën e parave, që mbajnë vetëm Coutinhon në këtë “ekuacion”.

I blerë nga Liverpool për 160 milionë euro (përfshirë bonuset) në janar 2018, Coutinho nuk arriti të tregojë cilësitë e mëdha te Barcelona. Performanca nën pritshmëri dhe marrëdhënia e ndërlikuar e tij me tifozët, në fakt e kanë bindur klubin se zgjedhja e duhur është largimi i brazilianit. Në vend të tij, të kthehet mbrapsht Neymar.