Sapo Lionel Messi shkeli në Francë, Paris Saint Germain nuk humbi kohë. Klubi zyrtarizoi afrimin e futbollistit argjentinas, nëpërmjet një videoje në faqen zyrtare në Twitter.
Gjithçka në harkun e 12 sekondave, ku alternohen imazhe të Kullës Eiffel, avionëve, një gotë mate, pija kombëtare në Argjentinë, 6 Topa të Artë dhe firma në kontratë.
Messi përshëndeti tifozët e shumtë që e pritën me entuziazëm.
Gjashtë herë fituesi i Topit të Artë do të ketë kontratë 2-vjeçare, me opsion rinovimi deri në vitin 2024. Messi do të përfitojë rreth 35 milionë euro në sezon nga marrëveshja me klubin e sheikëve.
Transferimi i Messit te Paris Saint Germain është përshëndetur edhe nga Neymar, miku i tij brazilian i cili u shpreh i lumtur që do të luajnë përsëri krah njëri-tjetrit.
Ndërkohë, në Barcelonë zhgënjimi është i madh. Në ditën kur argjentinasi i dha fund epokës me katalanasit, pas 21 vitesh, klubi vendosi menjëherë ta heqë fotografinë e idhullit të tifozëve nga stadiumi “Camp Nou”.
34-vjeçari njoftoi largimin nga blaugranat, edhe pse ishte gati që të reduktonte pagën me 50% dhe arriti akord me klubin. Por, marrëveshja nuk mund të finalizohej, për shkak të rregullave financiare të La Liga-s, e cila nuk lejonte firmosjen e kontratës për shkak të borxhit financiar, me vlerë 1,2 miliardë euro të Barcelonës.