Bota Publikohen detajet e bisedës Trump-Zelensky, çfarë kërkoi Presidenti për kundërshtarin politik

Publikohen detajet e bisedës Trump-Zelensky, çfarë kërkoi Presidenti për kundërshtarin politik

Shtëpia e Bardhë publikoi detajet e bisedës telefonike mes presidentit Donald Trump dhe homologut të tij ukrainas që nxiti hetimet për shkarkimin e kreut të administratës amerikane. Ato tregojnë se Trump i ka kërkuar vertët Volodymyr Zelensky, në 25 korrik, që të hetojë kandidatin demokrat, Joe Biden, djali i të cilit pat punuar për një firmë ukrainase gazi.

Më herët, presidenti amerikan kishte premtuar një zbardhje të plotë, të deklasifikuar dhe të paredaktuar të bisedës që nxiti demokratët të kërkojnë “impeachment-in“ e tij.

Trump dëgjohet aty duke i thënë Zelensky-t sesi Biden, si zëvendëspresidenti i SHBA-së, kishte lobuar në 2016-tën që Ukraina të pezullonte kryeprokurorin e saj, Viktor Shokin. Zyra e Shokin, sipas tij, kishte hapur një hetim ndaj Burisma-s, një kompani e gazit natyror në të cilën Hunter Biden ishte anëtar bordi.

“Ka shumë fjalë për djalin e Bidenit“, ka thënë Trump, duke shtuar se: “thuhet që Bideni ndaloi ndjekjen penale dhe se shumë njerëz duan të dijnë se cfarë ka ndodhur, ndaj cdo gjë që mund të bëni më prokurorin e përgjithshëm, do të ishte e shkëlqyeshme“, ka shtuar ai.

Të dhënat për këtë bisedë dolën nga një informator dhe bënë që një valë ligjvënësish demokratë të njoftonin mbështetjen për procesin e shkarkimit të Presidentit nëpërmjet hetimit në Kongres. Ligjvënësit demokratë thonë se kjo është një krizë e sigurisë kombëtare që duhet t’i shqetësojë të gjithë amerikanët, megjithëse shumica e tyre nuk e mbështesin procesin e shkarkimit.