Kryesore Punësim i militantëve të PS në burgje, Gjonaj “dhëmbë për dhëmbë” me...

Punësim i militantëve të PS në burgje, Gjonaj “dhëmbë për dhëmbë” me VOA-n

Pak ditë më parë “Zëri i Amerikës” publikoi përgjime të ish-drejtorit të arrestuar të Burgjeve, Arben Çuko, ku nga biseda mësohej se punësimet në burgje nuk bëheshin me konkursin publik të Ministrisë së Drejtësisë, por nëpërmjet miqësive dhe lidhjeve me Partinë Socialiste.

Sipas VOA-s, konkurset në Drejtorinë e Burgjeve kanë qenë fiktive, pasi manipuloheshin për të fshehur punësimin e militantëve socialistë, që shpeshherë ishin bërë me urdhër nga zyra ngjitur kryeministrit Edi Rama.

Që nga dita e publikimit të këtij skandali ka nisur një betejë deklaratash në distancë midis qeverisë shqiptare dhe VOA-s, me kryeministrin Rama që guxoi madje ta etiketonte si “kazan” Zërin e Amerikës.

Ndërkohë sot, ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj ka kërkuar nga media në fjalë që “të verifikojë të gjitha dosjet dhe procedurat e testimit për punonjësit e policisë së burgjeve”.

“Do të ishte korrekte që Zëri i Amerikës në bazë të këtyre indicjeve të kërkonte të verifikonte dosjen e procedurave të testimit të punonjësve të policisë së burgjeve, për të parë nëse interesimi legjitim i deputetëve për çështje të caktuara të personelit të punonjësve të policisë së burgjeve është përkthyer apo jo në mënyrë apo në shkelje të të drejtave të atyre që kanë marrë pjesë në testim, dhe që u takonte vendi sipas ligjit dhe meritës së tyre”, tha Gjonaj.

Gjonaj tha për mediat se procesi që VOA e cilëson fiktiv, është transparent dhe se interesimi i deputetëve nuk ka lidhje me rezultatin e rekrutimit të punonjësve të policisë së burgjeve.

“Pavarësisht nga ajo çfarë kanë biseduar personat përkatëse në ato biseda të përgjuara, interesimi i deputetëve nuk ka lidhje me procesin apo me rezultatin e rekrutimit të punonjësve të policisë së burgjeve. Procedurat janë zbatuar në mënyrën më të përpiktë dhe çdo hap i ndjekur është lehtësisht i verifikueshëm edhe sot kur kanë kaluar 8 muaj nga ky proces. Jemi të hapur për këdo që dëshiron të verifikojë dosjen e procesit të rekrutimit të punonjësve të rinj të policisë së burgjeve, apo çdo të dhënë tjetër që mendon se do ti shërbente nxjerrjes së të vërtetës dhe jo baltosje së punës së mirë që është bërë deri tani”, theksoi ministrja e Drejtësisë.