Ekonomi Punonjësit, në ethet e shitblerjes së bankave, nisin shkurtimet

Punonjësit, në ethet e shitblerjes së bankave, nisin shkurtimet

72
0
Shpërndaje

2018-a po rezulton një vit me shumë lëvizje në sistemin bankar. Në shtator, pritet që të përfundojë bashkimi i Intesa Sanpaolo Bank Albania (ISBA), me Banën Veneto, pas një procesi përthithjeje të ISBA në linjë me të njëjtën procedurë të bankave mëmë në Itali. Banka Amerikane e Shqipërisë (ABI) ka blerë tashmë Bankën Kombëtare të Greqisë (NBG Albania), një proces që ka marrë miratimin e Bankës së Shqipërisë. Një tjetër bankë me kapital grek, Tirana Bank është në negociata finale për shitje dhe ka disa banka pretendente.

Banka Societe Generale ka nisur tashmë procedurën e shitjes, në linjë me strategjinë e bankës mëmë në Francë, për të hequr dorë nga rajoni. Hungarezët e OTP-së janë të interesuar për të hyrë në tregun shqiptar përmes blerjes së Societe Generale. Banka e Shqipërisë ka deklaruar së fundmi se interes për tregun shqiptar ka dhe banka e madhe italiane, UniCredit.

Teksa në afatin e gjatë, këto blerje dhe bashkime pritet të ndikojnë pozitivisht në sistemin bankar shqiptar, duke rritur eficiencën e tij, në afatin e shkurtër, këto lëvizje kanë rritur tensionin tek punonjësit e bankave, që mund të humbin vendet e punës nga blerjet ose përthithjet.

Në fund të vitit 2017, sistemi bankar kishte 6,894 punonjës, sipas të dhënave nga Shoqata e Bankave, një numër që ka mbetur pothuajse i pandryshuar tre vitet e fundit, teksa bankat nuk po zgjeroheshin më. Tashmë ky numër pritet të reduktohet.

Të parët që po preken janë punonjësit e Bankës Veneto. Në maj të këtij viti, Divizioni i Degëve Ndërkombëtare të Intesa Sanpaolo i ka nisur një shkresë Drejtorisë së Burimeve Njerëzore të Bankës Veneto, ku e njofton se është miratuar shkrirja e dy bankave dhe në këtë proces, nga 115 punonjës të Veneto, 37 nuk do të jenë subjekt i “pushimit kolektiv” dhe 78 punonjës do të jenë objekt i “pushimit kolektiv”, që do të aktivizohet menjëherë pas miratimit të projektit të bashkimit nga Autoritetet Përkatëse (pas negociatave mësohet se ky numër është reduktuar aktualisht në 42).

Kjo shkresë ka shkaktuar reagimin e punonjësve, të cilët pretendojnë se në Itali, për punonjësit e Bankës Veneto nuk është ndjekur një praktikë e tillë dhe qeveria italiane ka garantuar në marrëveshjen e bashkimit mes Intesa dhe Veneto mbrojtjen e vendeve të punës. Në një letër që një grup punonjësish i kanë dërguar guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, ata pretendojë se nga bashkimi me përthithje i Bankës Veneto nga Intesa Sanpaolo nuk ka arsye të vlefshme ekonomike ose strukturore për të bazuar pushimin kolektiv të 78 punonjësve dhe për më tepër po preken vetëm punonjësit e njërës prej shoqërive të kontrolluara që do të bashkohen. Në letër ndër të tjera thuhet:  “Ky proces bashkimi bankash u shoqërua edhe me një Plan Biznesi nga ana e Grupit Intesa Sanpaolo Bank ku edhe ne si bankë, me aksioner 100% Veneto Banca scpa, u vumë në dijeni nga ana e pronarëve të rinj të bankës, ku pjesa që është me interesante për ne punonjësit ishte statusi ynë kolektiv me punëdhënësin e ri, në këtë rast Intesa Sanapaolo Bank. Në prononcimet e tij direkt pas këtij vendimi bashkimi bankash, proces me përthithje të dy bankave Veneto Banca scpa dhe Banca Popolare di Vicenza, z. Carlo Messina (Drejtor i Pergjithshem) i Intesa Sanpaolo Bank deklaroi “mos-largimin nga puna të asnjë punonjësi të këtyre dy bankave, pa një dakordësi financiare mes paleve, për pasojë dëmshpërblim vullnetar”. Punonjësit i janë drejtuar edhe Qeverisë Shqiptare, por thonë se deri tani nuk kanë gjetur mbështetje.

Banka e Shqipërisë, nga ana e saj, thotë për “Monitor” se po ndjek me vëmendje çdo diskutim me Këshillin e Punëmarrësve të Veneto Bank dhe konsultimet me Ministrinë e linjës për arritjen e një marrëveshje të mundshme. Ajo thotë se racionalizimi i punëmarrësve të agreguar, si pasojë e ristrukturimit të bankave që rezulton nga bashkimi, do të menaxhohet në përputhje me ligjin e punës të vendit dhe pasojat e bashkimit për punonjësit e Veneto Bank Albania do të burojnë në bazë të neneve 138, 139 dhe 139/1 të Kodit të Punës së Republikës së Shqipërisë (lexo prononcimin e plotë në vijim).

Spiro Brumbulli, Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës Shqiptare të Bankave pranon se në rastet e bashkimeve të bankave teorikisht, nuk mund të përjashtojmë faktin që ekziston risku i shkurtimit të numrit të punonjësve. Edhe ai rekomandon që mbrojtja më e fortë e punonjësve është legjislacioni në fuqi.

Në Itali, punonjësit mbrohen nga Fondi i Solidaritetit, në Shqipëri nga Kodi i Punës

Në marrëveshjen e Bashkimit mes Veneto dhe Intesa Sanpaolo në Itali thuhet se integrimi i dy bankave dhe punonjësve të tyre do të bëhet pa pushime nga puna dhe vetëm përmes largimeve vullnetare. Por, kjo po ndodh vetëm në Itali. Në një prononcim zyrtar për “Monitor”, zyra qendrore e marrëdhënieve ndërkombëtare e Grupit Intesa Sanpaolo, tha se punonjësit në Itali po përdorin instrumentin special të “Fondit të Solidaritetit”, ndërsa në Shqipëri, një fond i tillë nuk ekziston dhe punonjësit janë subjekt i ligjeve specifike shqiptare.

Më poshtë është prononcimi i plotë i Grupit Intesa Sanpaolo.

“Në fund të qershorit 2017, Intesa Sanpaolo bleu një pjesë të aksioneve të Bankës Veneto dhe Banca Popolare di Vicenza, të cilat Rregullatori i ka vënë në likuidimin administrativ të detyruar, me ndikim edhe tek të punësuarit.

Ligji italian parashikon mundësinë për të vijuar me pushimet kolektive, në rastet e riorganizimit të kompanisë. Por ka edhe instrumente të tjera të menaxhimit, në drejtim të reduktimit të personelit.

Në rastin konkret të Intesa Sanpaolo, përveç punonjësve në Itali që kishin kërkesa për pension, duke zgjidhur marrëveshjet e punës me qëllim daljen në pension, shumë punonjës të tjerë që nuk kishin kërkesa për pension, shfrytëzuan për këtë qëllim, instrumentin special të “Fondit të Solidaritetit” të Sektorit të Kredisë.

Ky fond, i cili nuk parashikohet nga ligji shqiptar, financohet nga bankat dhe punonjësit. Fondi i mësipërm paguan një faturë të jashtëzakonshme mujore, për një periudhë të kufizuar kohore që u lejon punonjësve të arrijnë kërkesat e pensioneve të parashikuara nga ligji italian.

Grupi Intesa Sanpaolo konfirmon se, edhe në Shqipëri, do të respektojë ligjet ekzistuese shqiptare, duke gjetur edhe rezoluta të mëtejshme për të minimizuar ndikimin që rrjedh nga riorganizimi aktual. Brenda këtij konteksti, theksohet se iniciativat e miratuara nga grupi kanë mundësuar të reduktohet ndjeshëm numri i punonjësve të interesuar”, përfundon grupi Intesa Sanpaolo.

Banka e Shqipërisë dhe Shoqata e Bankave pranojnë që në Shqipëri nuk ka një mekanizëm që të mbrojë punonjësit, por marrëdhëniet e tyre rregullohen vetëm nga Kodi i Punës (lexo prononcimet në vijim të Bankës së Shqipërisë dhe Shoqatës së Bankave).

Marrëdhëniet e punësimit rregullohen nga Kodi i Punës

Prononcim i Bankës së Shqipërisë

Banka e Shqipërisë pohon në një prononcim të posaçëm për “Monitor” se në proceset e shitblerjes dhe bashkimit të bankave, ajo informohet në lidhje me strukturën e re organizative, me përshkrimin e veçantë të punës dhe të përgjegjësive të personave me të drejta dhe përgjegjësi të veçanta si dhe lidhur me numrin e mundshëm të punonjësve. Por, ajo thotë se nuk ka për detyrë mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit të punës, pasi ka struktura të veçanta publike që janë ngarkuar me ligj për këtë mbikëqyrje, siç mund të jetë Inspektorati i Punës.

Procesi i përthithjes së Grupit Veneto Banka dhe Banca Popolare di Vicenza me Grupin Intesa Sanpaolo u kushtoi taksapaguesve italianë 17 miliardë euro, nga këto 3 miliardë euro për impaktin social (punonjësit + filialet + detyrimet ndaj palëve të treta, kontratë furnitorësh, procese gjyqësore, etj.). Në marrëveshjen e Bashkimit mes Veneto dhe Intesa në Itali thuhet se integrimi i dy bankave dhe punonjësve të tyre do të bëhet pa pushime nga puna dhe vetëm përmes largimeve vullnetare. Po Banka e Shqipërisë, a i ndjek rekomandimet e Bankës Qendrore Europiane për këtë proces të ndërlikuar dhe të stërgjatur në Itali? A keni marrëveshje, apo a mund të ushtroni autoritetin tuaj mbi bankat për të reduktuar pasojat sociale?

Procesi i ndryshimit të aksionerit të Bankës Veneto është kryer në komunikim dhe bashkëpunim të plotë me Bankën Qendrore Europiane dhe Bankën e Italisë. Edhe në rastin tonë, ekziston një Marrëveshje e Bashkimit me Përthithje, të cilën Banka Intesa Sanpaolo Albania në pozicionin e bankës përthithëse e ka bërë tashmë publike. Banka angazhohet se racionalizimi i punëmarrësve të agreguar, si pasojë e ristrukturimit të bankave që rezulton nga bashkimi, do të menaxhohet në përputhje me ligjin e punës të vendit dhe pasojat e bashkimit për punonjësit e Veneto Bank Albania do të burojnë në bazë të neneve 138, 139 dhe 139/1 të Kodit të Punës së Republikës së Shqipërisë. Banka e Shqipërisë po ndjek me vëmendje çdo diskutim me Këshillin e Punëmarrësve të Veneto Bank dhe konsultimet me Ministrinë e linjës për arritjen e një marrëveshje të mundshme.

A ka një strukturë në Bankën e Shqipërisë që i ndjek këto procese, që priten të ndodhin edhe në banka të tjera, pasi sistemi bankar është në një proces shitblerjesh? Cili duhet të jetë autoriteti që duhet të mbrojë punonjësit?

Mbështetur dhe në zbatim të dispozitave të Ligjit nr. 9662, datë 18.12.2006, “Për bankat në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar (ligji për bankat), bankat mund të transferojnë pronësinë e një aksioneri me pjesëmarrje influencuese ose kontrollin tek një palë e tretë, si dhe mund të riorganizohen juridikisht nëpërmjet bashkimit, ndarjes ose çdo forme tjetër të ngjashme. Këto procese kryhen me miratimin paraprak të Bankës së Shqipërisë pas plotësimit nga bankat dhe vlerësimit nga Banka e Shqipërisë të kërkesave për kriteret dhe dokumentacionin të parashikuara në legjislacionin në fuqi.

Më konkretisht, në ligjin për bankat të sipërpërmendur dhe në rregulloren “Për licencimin dhe ushtrimin e veprimtarisë së bankave dhe degëve të bankave të huaja në Republikën e Shqipërisë”, nr. 14, datë 11.3.2009, e ndryshuar, Banka e Shqipërisë, pasi shqyrton dhe verifikon dokumentacionin e paraqitur, merr vendimin për miratim ose refuzim lidhur riorganizimin e bankës apo transferimin e pronësisë.

Gjatë këtyre proceseve, Banka e Shqipërisë bëhet me dije në lidhje me strukturën e re organizative, me përshkrimin e veçantë të punës dhe të përgjegjësive të personave me të drejta dhe përgjegjësi të veçanta, si dhe lidhur me numrin e mundshëm të punonjësve. Megjithatë, Banka e Shqipërisë nuk ka për detyrë mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit të punës, pasi ka struktura të veçanta publike që janë ngarkuar me ligj për këtë mbikëqyrje siç mund të jetë Inspektorati i Punës.

A keni ndonjë vlerësim se cili pritet të jetë ndikimi tek punonjësit në sistemin bankar nga procesi i shitblerjeve?

Siç e përmendëm edhe më sipër, Banka e Shqipërisë kërkon informacion nga bankat dhe njihet gjatë procesit të miratimeve ndër të tjera dhe me pasojat e mundshme ndaj punëmarrësve e përfaqësuesve të tyre, si dhe masat e propozuara. Bankat janë të detyruara të respektojnë rregullat dhe procedurat e përcaktuara në legjislacionin e punës, apo Kodit të Punës, ku përfshihen edhe dispozitat e pushimit kolektiv. Moszbatimi i detyrimeve që burojnë nga Kodi i Punës, mund të rezultojë në përballjen e bankave me detyrime ligjore dhe financiare shtesë dhe për këtë arsye bankat udhëzohen të zbatojnë me saktësi procedurat e parashikuara në dispozitat e Kodit të Punës.

Si pritet të ndikojë në sistemin bankar përthithja e Veneto nga Intesa?

Përthithja e Bankës Veneto nga Banka Intesa në Shqipëri është rrjedhojë indirekte e një vendimi të iniciuar nga Banka Qendrore Europiane e shteti italian, ndërkohë që situata e Bankës Veneto në Shqipëri ishte e qëndrueshme. Banka e Shqipërisë mbështet konsolidimin e mëtejshëm të sistemit bankar, duke favorizuar prezencën e grupeve të mëdha bankare me origjinë nga vendet e BE-së, që synojnë të jenë eficient e të mbështesin nëpërmjet financimeve ekonominë vendase.

Marrë me shkurtime nga Monitor

Komento

Shkruani komentin tuaj
Ju lutem fusni Emër-in