Kryesore Pushohet çështja e “21 janarit”, Strasburgu 109 mijë euro dëmshpërblim familjarëve

Pushohet çështja e “21 janarit”, Strasburgu 109 mijë euro dëmshpërblim familjarëve

Gjashtë vite nga 21 janari i 2011, Gjykata e Strasburgut ka pushuar dosjen e 21 janarit, të hapur prej familjarëve të viktimave që në vitin 2013.

Familjarët janë tërhequr, duke pranuar kushtet e dëmshpërblimit të propozuara nga qeveria shqiptare.

Qeveria shqiptare pak muaj më parë i dërgoi një letër Gjykatës së Strasburgut, ku i bënte me dije se ishte e gatshme të rihapte çështjen e 21 janarit, si dhe të negocionte me familjarët e viktimave masën përkatëse të dëmshpërblimit, raporton Report Tv.

Përkatësisht një dëmshpërblim prej 93,600 eurosh për familjarët e Ziver Veizit: përkatësisht, 39 mijë për bashkëshorten, 39 mijë për të birin, dhe 15,600 euro për të vëllain e viktimës Çaush Veizi.

Për Zabit Dedën, vëllain e një prej viktimave të tjera të 21 janarit qeveria ka propozuar një dëmshpërblim prej 15,600 eurosh. Në total, katër të afërmit janë dëmshpërblyer me 109 mijë euro, shifër edhe e pranuar prej tyre.

Në vendimin përfundimtar, Gjykata e Strasburgut, e konsideron çështjen si një marrëveshje mirëkuptimin mes palëve, shkak për të cilin nuk ka nevojë për një ekzaminim të mëtejshëm të padisë së të afërmve të 21 janarit.