Bota Putin dhe Merkel diskutojnë prodhimin e përbashkët të vaksinave kundër Covid-19

Putin dhe Merkel diskutojnë prodhimin e përbashkët të vaksinave kundër Covid-19

Presidenti rus Vladimir Putin dhe kancelarja gjermane Angela Merkel kanë diskutuar mundësinë e prodhimit të përbashkët të vaksinave të koronavirusit në një bisedë telefonike.

“Çështjet e bashkëpunimit në luftën kundër pandemisë së koronavirusit janë diskutuar duke e vënë theksin në perspektivat e mundshme për prodhimin e përbashkët të vaksinave”, thuhet në një deklaratë të Kremlinit.

Kremlini shtoi se u arrit një marrëveshje për vazhdimin e kontakteve mbi këtë çështje midis ministrive të Shëndetësisë së të dy vendeve dhe agjencive të specializuara.

Të dy udhëheqësit diskutuan gjithashtu edhe zgjidhjen e konfliktit midis Kievit dhe forcave separatiste pro-ruse në Ukrainën lindore, që ka mbetur e bllokuar që kur u nënshkruan marrëveshjet e paqes në 2015.

Rusia dhe Gjermania kohët e fundit kanë filluar vaksinimet masive për të frenuar përhapjen e koronavirusit dhe për të shmangur rivendosjen e bllokimeve në të gjithë vendin.

Ndërsa Gjermania po përdor vaksinën e zhvilluar nga Pfizer dhe BioNtech, Rusia ka hedhur në qarkullim masiv vaksinën e saj Sputnik V.